Lajme

Dogana sekuestron 2,559 pako barnash pa banderola në Prishtinë

Dogana e Kosovës ka sekuestruar gjithsej 2,559 pako barnash pa dokumentacion dhe pa banderola të Republikës së Kosovës, gjatë një aksioni të zhvilluar në një subjekt farmaceutik dhe një shtëpi banimi në Prishtinë.

Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës të datës 25.08.2026, sekuestrimi ka ndodhur pas një kontrolli në një subjekt farmaceutik nga ana e Sektorit të Hetimeve të Doganës së Kosovës.

“Me autorizim të prokurorit kompetent, kontrolli ka vazhduar edhe në një shtëpi banimi të ndërlidhur me rastin. Gjatë kontrollit të bodrumit dhe pjesëve të tjera të objektit janë zbuluar edhe 398 pako barnash pa banderola RKS”, thuhet në njoftim.

Në të dy lokacionet janë sekuestruar gjithsej 2,559 pako barnash.

“Malli i zbuluar në subjektin farmaceutik dhe në shtëpinë e banimit është sekuestruar dhe evidentuar në dokumentacionin përkatës, së bashku me specifikacionet e sasive dhe emërtimet e barnave”, thuhet në njoftim .

Sipas Doganës së Kosovës, vlera doganore e mallit të sekuestruar në subjektin farmaceutik është 15,112.84 euro, ndërsa ajo e mallit të gjetur në shtëpinë e banimit arrin në 5,633.10 euro.

Në total, vlera doganore e barnave të sekuestruara është 20,745.94 euro, ndërsa rasti është duke u trajtuar në koordinim me prokurorin kompetent dhe institucionet përgjegjëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Dogana e Kosovës ka deklaruar se mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe tregtimit të paligjshëm të barnave, me synim mbrojtjen e shëndetit publik, konkurrencës së ndershme dhe interesave financiare të Republikës së Kosovës.

Të Ngjashme