72
Një histori që vazhdon të ngjallë debat dhe teori të shumta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes falë dokumentarit të ri të Netflix, “The Crash”. Filmi sjell detaje të reja dhe pamje tronditëse nga aksidenti fatal i vitit 2022 në Ohio, ku humbën jetën dy të rinj, ndërsa një 17-vjeçare përfundoi pas hekurave.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të 31 korrikut, pas një feste diplomimi. Sipas hetimeve, Mackenzie Cirilla po drejtonte makinën me shpejtësi ekstreme, rreth 160 kilometra në orë, përpara se automjeti të përplasej fuqishëm me një ndërtesë.
Nga përplasja humbën jetën partneri i saj, Dominic Russo, dhe miku i tyre Davion Flanagan, ndërsa vetë ajo mbeti e plagosur rëndë dhe u transportua me urgjencë në spital.
Dokumentari përfshin pamje nga kamerat e policisë, video të sigurisë dhe dëshmi të njerëzve pranë viktimave, duke rindërtuar minutë pas minute natën tragjike që tronditi opinionin publik amerikan.
Sipas prokurorëve, aksidenti nuk ishte i rastësishëm. Hetimet zbuluan se makina nuk kishte probleme teknike dhe se pedali i gazit kishte mbetur i shtypur maksimalisht pak sekonda para përplasjes. Në të njëjtën kohë, analizat nuk zbuluan prani alkooli apo droge në organizmin e adoleshentes.
Një nga detajet që ka bërë më shumë bujë ishte një telefonatë e Dominic Russo disa javë para tragjedisë, ku ai kishte rrëfyer frikën nga mënyra e rrezikshme e drejtimit të partneres së tij.
Gjykata e shpalli Cirillën fajtore për disa akuza të rënda, ndërsa gjykatësi i çështjes e përshkroi ngjarjen si një akt “të qëllimshëm dhe të kontrolluar”. Ajo u dënua me burgim të përjetshëm, me mundësi lirimi pas 15 vitesh.
Megjithatë, edhe sot, e reja këmbëngul se nuk mban mend asgjë nga momentet e fundit para aksidentit, duke pretenduar se ka një boshllëk total kujtese për atë natë.
“The Crash” po komentohet gjerësisht në rrjet, jo vetëm për tragjedinë, por edhe për mënyrën se si dokumentari trajton ndikimin e rrjeteve sociale dhe jetën e errët pas famës së adoleshentëve në internet.


