Kuriozitete

Dhurata franceze – Statuja e Lirisë fillimisht kishte një ngjyrë tjetër

Skulptori francez Frédéric-Auguste Bartholdi e projektoi Statujën e Lirisë në vitin 1865, për të “përkujtuar 100-vjetorin e Deklaratës së Pavarësisë” dhe për të “festuar marrëdhëniet e ngushta mes Francës dhe Amerikës”.

Pasi u siguruan fondet për ndërtimin e skulpturës gjigante, Alexandre Gustave Eiffel (po, pikërisht ai që projektoi Kullën Eiffel) ndihmoi që vizioni i Bartholdit të bëhej realitet. Struktura përfundoi në vitin 1884, ndërsa arkitektit amerikan Richard Morris Hunt iu kërkua të projektonte piedestalin.

Statuja përbëhej nga 350 pjesë, të paketuara në 200 arka dhe të transportuara përtej Oqeanit Atlantik. Ajo mbërriti në Nju Jork në qershor të vitit 1885.

Por në atë kohë nuk ishte e gjelbër. Madje, edhe pas 140 vjetësh në portin e Nju Jorkut, ajo nuk është lyer kurrë. Çfarë ndodhi?

Zbulimi i Zonjës së Lirisë

Sipas History, statuja 93 metra e lartë (e njohur atëherë si “Liria që ndriçon botën”) u prezantua për publikun me 28 tetor 1886. Ajo ishte prej bakri, ndaj kishte një ngjyrë kafe në të kuqërremtë. Pjesa e jashtme përbëhej nga qindra fletë bakri, secila me gjerësi sa dy monedha një centëshe.

Image

Sipas autorit Wortel-London, Bartholdi zgjodhi bakrin për shkak të qëndrueshmërisë së tij dhe, me shumë gjasë, sepse ishte një alternativë më ekonomike ndaj materialeve më të rënda. Përveçse duhej t’u rezistonte kushteve atmosferike gjatë transportit përtej Atlantikut, materiali duhej të ishte mjaftueshëm i përpunueshëm për t’i dhënë statujës formën që sot e bën atë një nga monumentet më të njohura në botë.

Rreth 15 vjet pasi u vendos në portin e Nju Jorkut, Zonja e Lirisë vazhdonte të mbante lart pishtarin e saj, ndërsa bakri po merrte dalëngadalë një nuancë më të errët kafeje.

Pse u bë e gjelbër?

Në fillim të viteve 1900, statuja nisi të oksidohej dukshëm, siç ndodh me metalet, dhe në sipërfaqen e saj u formua një shtresë e gjelbër. Në fakt, Bartholdi e kishte parashikuar që statuja do të ndryshonte ngjyrë me kalimin e kohës, por ai mendonte se do të merrte një nuancë të kuqe të errët. Megjithatë, natyra kishte plane të tjera.

Në vitin 1906, Kongresi amerikan akordoi 62 mijë dollarë për ta lyer sërish statujën dhe për t’i rikthyer ngjyrën fillestare të bakrit. Por shumë njerëz e konsideruan këtë veprim një “sakrilegj”. Për më tepër, statuja do të duhej të rilyhej çdo 25 vjet për të ruajtur ngjyrën e bakrit, një proces i kushtueshëm dhe i lodhshëm.

Kështu, u vendos që të lihej ashtu siç ishte. Në vitin 1910, statuja kishte marrë një pamje gjysmë bakri dhe gjysmë blu në të gjelbër. Brenda dhjetë vjetësh, ajo ishte bërë tërësisht e gjelbër.

Image

Sipas Bendheim, në vitin 1916, artisti Gutzon Borglum vendosi panele xhami në ngjyrë qelibari në pishtar, duke bërë të mundur ndriçimin e tij nga brenda. Në vitet 1920, statuja kishte marrë pamjen që ka edhe sot, përfshirë ngjyrën e saj karakteristike. I vetmi ndryshim është se sot pishtari është i mbuluar me fletë ari 24-karatësh dhe e gjithë struktura ndriçohet nga prozhektorët.

Ngjyra e gjelbër nuk është më vetëm një simbol i lirisë. Shtresa që është formuar nga veprimi kimik i kushteve atmosferike e mbron statujën nga korrozioni dhe dëmtimi. Me kalimin e kohës, Zonja e Lirisë dhe ngjyra e saj e gjelbër u shndërruan në shumë më tepër sesa një strukturë prej 300 fletësh bakri të vjetruara: ato u bënë simbol i shpresës për emigrantët që mbërrinin në port dhe një dëshmi e përjetshme e demokracisë për popullin amerikan.

Të Ngjashme