Një ngjarje e raportuar si kërcënim me armë dhe kërkesë për 5 milionë euro është regjistruar mesditën e sotme në një hotel në zonën e Orikumit, në Vlorë.
Sipas informacioneve paraprake, një grup prej më shumë se 10 personash, disa prej tyre të armatosur, dyshohet se kanë shkuar në hotelin e biznesmenit Vasil Bedinaj.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:30.
Personat fillimisht dyshohet se e kanë kërcënuar me fjalë pronarin e hotelit dhe më pas kanë përdorur armët, duke i kërkuar një shumë prej 5 milionë eurosh.
Mes palëve ka pasur edhe një konflikt fizik. Pas ngjarjes, personat e përfshirë janë larguar nga hoteli, ndërsa Policia ka nisur ndjekjen.
Gjatë ndjekjes, dy persona që udhëtonin me një automjet janë aksidentuar në urën e Peshkëpisë, në hyrje të Vlorës.
Ata janë transportuar me ambulancë drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore.
Sipas informacioneve paraprake, njëri prej tyre ka pësuar dëmtime në shpinë dhe në shtyllën kurrizore, ndërsa personi tjetër ka marrë dëmtime si pasojë e aksidentit.
Raportohet se dy personat janë arrestuar dhe janë nga Tirana.
Ndërkohë, forca të shumta policie janë angazhuar në disa zona të Vlorës për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje.
Policia vijon kontrollet dhe hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të incidentit dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë. Informacionet mbeten paraprake./oranews
