TIRANË — Prokuroria e Posaçme ka përfunduar zyrtarisht hetimet për dosjen e bujshme të spitalit Onkologjik duke e dërguar çështjen për gjykim.
Prokurori Elvin Gokaj ka kërkuar kalimin në seancë paraprake për mjekun Edmond Gashi, koordinatorin Emiljano Lela dhe shtetasin Mustafa Xhepmetaj, personin që dyshohet se ka korruptuar mjekët.
Të pandehurit akuzohen zyrtarisht për veprat penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv në sistemin shëndetësor.
Hetimet e SPAK zbuluan një skemë të mirëfilltë abuzimi ku pacientët e diagnostikuar me sëmundje tumorale orientoheshin drejt privatit.
Mjeku Edmond Gashi u dërgonte pacientët e sëmurë me kancer klinikës private që rezulton në emër të babait të tij, Halil Gashi.
Shtetasi Mustafa Xhepmetaj dyshohet se ka shërbyer si personi që korruptonte mjekët për realizimin e skemës.
Koordinatori Lela dyshohet se gjente në spital të sëmurët dhe duke i paraqitur një situatë të zymtë se te Onkologjiku do prisnin gjatë, i çonte te klinika e Gashit dhe për secilin merrte përqindjen e tij.
Për çdo pacient që orientohej për trajtim tek spitali privat, mjekët e Onkologjikut përfitonin shuma të konsiderueshme parash.
Në vitin 2021 në Onkologjik u instalua një aparaturë kobalto-terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës. Që të përdoret Cobalt Therapy duhet të krijohet një bunker antiradioaktiv ose antiatomik në kushtet e miratuara dhe të prezantuara nga Agjencia Atomike e Vienës.
Por ky bunker jo vetëm nuk u krijua, por aparatura u vendos jashtë kushteve teknike. Rasti u kallëzua në SPAK edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Ndërkohë, një pjesë e të akuzuarve të tjerë të kësaj dosjeje i janë deleguar për kompetencë Prokurorisë së Tiranës.
