Të akuzuarit për grabitjen e armatosur të një argjendarie në Suharekë, e cila ndodhi më 22 nëntor 2023, janë sjell të enjten në Gjykatën Themelore në Prizren, ku pritet të zhvillohet seanca gjyqësore.
Sipas aktakuzës, Bujar Basha, Besart Istrefi, Leotrim Cakolli dhe Korab Gashi akuzohen për grabitjen, gjatë së cilës dyshohet se janë marrë stoli ari në vlerë prej mbi 133 mijë eurosh. Gjatë incidentit, sipas aktakuzës, janë plagosur edhe dy zyrtarë policorë.
Në këtë rast akuzohen edhe persona të tjerë për vepra të ndërlidhura. Fatmir Tahiri dhe Albin Beqiri akuzohen se kanë ndihmuar në kryerjen e veprës penale, ndërsa Trim Baraku akuzohet për armëmbajtje pa leje, si edhe për blerje apo fshehje të sendeve të përfituara me vepër penale. Baraku, sipas të dhënave të rastit, e ka pranuar fajësinë.
Korab Gashi ishte arrestuar në korrik të vitit 2024 në Prishtinë, pas disa muajsh në arrati.
Gjatë aksionit policor pas grabitjes, Dukagjin Gashi, i cili sipas të dhënave është vëllai i Korab Gashit, mbeti i vrarë në një shkëmbim zjarri me pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Rasti po shqyrtohet nga Gjykata Themelore në Prizren.
