Lajme

Drejt përfundimit punimet në rrugën Junik–Gjeravicë, investimi kap vlerën mbi 4.8 milionë euro

Punimet në rrugën Junik–Gjeravicë po i afrohen përfundimit, në kuadër të një projekti infrastrukturor me vlerë mbi 4.8 milionë euro, i financuar tërësisht nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit.

Sipas njoftimit të ministrisë, projekti po realizohet në bazë të Memorandumit të Bashkëpunimit me Komunën e Junikut dhe synon të përmirësojë qasjen drejt një prej destinacioneve më të rëndësishme malore të Kosovës.

Ministria ka bërë të ditur se gjatë realizimit të projektit janë hasur disa çështje pronësore, të cilat tashmë janë zgjidhur, duke mundësuar vazhdimin e punimeve pa pengesa deri në përfundimin e tyre.

Rruga, me gjatësi prej 18 kilometrash, do të ofrojë qasje më të shpejtë dhe më të sigurt drejt Gjeravicës, majës më të lartë të Republikës së Kosovës.

Sipas ministrisë, asfaltimi i kësaj rruge pritet të ndikojë në zhvillimin e turizmit malor, forcimin e ekonomisë lokale dhe krijimin e mundësive të reja për banorët e zonës.

“Rruga, me gjatësi prej 18 kilometrash, do të mundësojë qasje më të shpejtë dhe më të sigurt drejt Gjeravicës, majës më të lartë të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Tutje, ministria thekson se investimet në infrastrukturën e zonave malore mbeten ndër prioritetet e Qeverisë Kurti, me synim përmirësimin e qasjes në këto zona, nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe promovimin e potencialit turistik të Kosovës.

Të Ngjashme