Aktivistët e Ferizajt kanë paralajmëruar protestë sot, më 29 tetor, në orën 12:00, për të kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn.
Sipas njoftimit të organizatorëve, protesta do të nisë para objektit të Komunës së Ferizajt dhe do të vazhdojë me ndalesa para disa institucioneve publike.
Protestuesit do të ndalen para Qendrës për Punë Sociale, Stacionit Policor dhe Gjykatës, ku pritet të kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.
Përmes një njoftimi për media, ekipi organizativ ka bërë të ditur se protesta synon të kërkojë llogaridhënie pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
“Ftojmë mediat që ta përcjellin protestën dhe kërkesën tonë për drejtësi e përgjegjësi institucionale”, thuhet në njoftim.
Protesta në Ferizaj vjen pas reagimeve dhe tubimeve të organizuara në Prishtinë, ku qytetarët kanë kërkuar hetimin e veprimeve të institucioneve përgjegjëse dhe masa për mbrojtjen e grave nga dhuna.
Arlinda Zekaj u vra në Vitomiricë të Pejës, ndërsa para vrasjes kishte paraqitur shqetësime për sigurinë e saj pranë institucioneve kompetente.
