Lajme

“Dritare e re” për Kosovën në BE? Ekspertët vlerësojnë deklaratën e Riho Terras

Në Parlamentin Evropian është mbajtur të martën debati për zgjerimin e Bashkimit Evropian, një diskutim që ka rikthyer në fokus edhe perspektivën evropiane të Kosovës.

Në këtë debat është përfshirë edhe çështja e Kosovës, ku është kërkuar që vendi të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Këtë kërkesë e ka ngritur eurodeputeti Riho Terras, i cili njëkohësisht është edhe raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian.

Terras ka nënvizuar se institucionet evropiane duhet të reagojnë në mënyrë më të qartë ndaj progresit që po shënojnë shtetet e rajonit në rrugën e reformave dhe përafrimit me standardet e BE-së.

“Si raportues i Parlamentit Evropian për Kosovën, është shumë e rëndësishme për mua që Kosova të fitojë statusin e vendit kandidat. Është me rëndësi të madhe që Kosova të vazhdojë në rrugën e saj evropiane dhe që mbështetja publike, që është e lartë, për integrimin evropian të vazhdojë”, ka deklaruar Terras.

Megjithatë, sipas vlerësimeve të ekspertëve, rruga e Kosovës drejt statusit kandidat mbetet e ndërlikuar për shkak të mosnjohjes nga disa shtete anëtare të BE-së, nevojës për thellimin e reformave në sundimin e ligjit dhe administratën publike, si dhe sfidave në procesin e dialogut me Serbinë.

Ata vlerësojnë se deklaratat nga Brukseli përbëjnë sinjale inkurajuese për perspektivën evropiane të Kosovës, por theksohet se avancimi konkret do të varet nga reformat e qëndrueshme të brendshme dhe konsensusi i shteteve anëtare të BE-së.

Halili: Deklarata e Terras sinjal pozitiv, por rruga drejt BE-së mbetet e ndërlikuar

Image
Profesori Nijazi Halili

Profesori Nijazi Halili, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se ky qëndrim tregon një rritje të mbështetjes brenda institucioneve evropiane për integrimin e Kosovës, duke e lidhur këtë me procesin e reformave të brendshme.

“Deklarata e Riho Terras përbën një sinjal pozitiv për Kosovën dhe konfirmon se brenda institucioneve evropiane po rritet mbështetja për avancimin e saj në procesin e integrimit evropian. Vlerësimi i tij se Kosova duhet të fitojë statusin e vendit kandidat reflekton bindjen se progresi i arritur në reforma duhet të shoqërohet me hapa konkretë nga Bashkimi Evropian.

Megjithatë, pavarësisht këtyre mesazheve inkurajuese, rruga e Kosovës drejt statusit kandidat mbetet e ndërlikuar. Pengesat kryesore vazhdojnë të jenë mungesa e njohjes nga pesë shtete anëtare të BE-së, nevoja për thellimin e reformave në fushën e sundimit të ligjit dhe administratës publike, si dhe progresi në dialogun me Serbia”, ka vlerësuar ai.

Sipas Halilit, edhe pse deklarata të tilla janë inkurajuese, ato nuk duhet të interpretohen si një afrim i menjëhershëm i Kosovës me statusin e vendit kandidat.

Deklarata e Terrasit nuk nënkupton se Kosova është pranë marrjes së statusit kandidat në afat të shkurtër, por ajo tregon se ekziston një klimë më e favorshme politike në raport me perspektivën evropiane të vendit. Në kushtet kur zgjerimi i BE-së është rikthyer në qendër të agjendës strategjike evropiane, Kosova mund të përfitojë nga kjo momentum, me kusht që të vazhdojë zbatimin e reformave dhe të forcojë pozicionin e saj në raport me partnerët ndërkombëtarë.

Prandaj, deklarata e raportuesit për Kosovën në Parlamentin Evropian mund të shihet si një mundësi për hapjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe BE-së, por realizimi i këtij objektivi do të kërkojë angazhim të vazhdueshëm si nga institucionet e Kosovës, ashtu edhe nga vetë Bashkimi Evropian”, ka deklaruar Halili për “Bota sot”.

Berisha: Diaspora dhe SHBA, çelës për avancimin ndërkombëtar të Kosovës

Kurse, profesori universitar dhe analisti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Fejzulla Berisha, për “Bota sot” ka potencuar se deklarata e eurodeputetit Terras për dhënien e statusit kandidat Kosovës është sinjal pozitiv politik dhe diplomatik për rrugën evropiane të vendit.

Image
Fejzulla Berisha

Ai ka theksuar se statusi kandidat nuk nënkupton anëtarësim automatik, por hap një fazë të re integrimi dhe nxit reforma.

“Deklarata e eurodeputetit estonez Riho Terras, i cili ka theksuar rëndësinë e dhënies së statusit të vendit kandidat për Republikën e Kosovës dhe vazhdimit të rrugës së saj evropiane, duhet të vlerësohet si një sinjal inkurajues politik dhe diplomatik për të ardhmen evropiane të shtetit të Kosovës.

Në rrafshin e marrëdhënieve ndërkombëtare, deklarata të tilla nuk përbëjnë vetëm opinione individuale, por shpeshherë pasqyrojnë tendencat dhe debatet që zhvillohen brenda institucioneve të Bashkimit Evropian. Për këtë arsye, deklarata e Riho Terras meriton një analizë më të thellë në kontekstin e zhvillimeve aktuale gjeopolitike në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor.

Dhënia e statusit kandidat nuk nënkupton automatikisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por përfaqëson njohjen politike të perspektivës evropiane të një shteti dhe hyrjen e tij në një fazë më të avancuar të procesit integrues.

Në historinë e zgjerimit evropian, statusi kandidat ka qenë një instrument i rëndësishëm për të nxitur: reformat demokratike;forcimin e sundimit të ligjit;zhvillimin ekonomik;modernizimin institucional; konsolidimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

Në këtë kuptim, marrja e statusit kandidat nga Kosova do të përbënte një sukses historik dhe një konfirmim të orientimit të saj euroatlantik. Qëndrimi i Riho Terras nuk është i rastësishëm.

Ai vjen në një periudhë kur Bashkimi Evropian po rishikon politikën e zgjerimit si pasojë e ndryshimeve të mëdha gjeopolitike të shkaktuara nga lufta në Ukrainë dhe sfidat e sigurisë në kontinentin evropian.

Nëse para disa vitesh zgjerimi konsiderohej një proces i ngadalshëm dhe shpeshherë i lënë në plan të dytë, sot ai po shihet gjithnjë e më shumë si një domosdoshmëri strategjike.

Prandaj, deklarata e raportuesit për Kosovën në Parlamentin Evropian mund të interpretohet si pjesë e një qasjeje të re, sipas së cilës zgjerimi nuk është vetëm një proces teknik, por edhe një instrument i sigurisë evropiane”, ka thënë Berisha.

I pyetur se a mund të hapet një dritare e re për Kosovën, Berisha ka shtuar se krizat ndërkombëtare shpesh kanë hapur rrugë për zgjerim.

Ai ka përmendur rastet e Kroacisë, vendeve të Evropës Lindore pas rënies së Murit të Berlinit, si dhe Ukrainës e Moldavisë pas agresionit rus, si shembuj të vendimeve politike të BE-së në momente gjeopolitike.

“Nga këndvështrimi politik dhe diplomatik, përgjigjja është po. Historia e Bashkimit Evropian ka dëshmuar se krizat ndërkombëtare shpesh kanë krijuar mundësi të reja politike. Kroacia, pas luftës së viteve ’90, arriti të transformojë pozitën e saj ndërkombëtare dhe u bë anëtare e Bashkimit Evropian në vitin 2013.

Pas rënies së Murit të Berlinit, Polonia, Hungaria, Republika Çeke dhe shtetet baltike përfituan nga momentumi gjeopolitik dhe u integruan në strukturat euroatlantike.

Pas agresionit rus, Ukraina dhe Moldavia morën statusin kandidat, duke dëshmuar se Bashkimi Evropian mund të marrë vendime politike të rëndësishme kur ekziston vullneti strategjik.

Në këtë kontekst, edhe Kosova mund të përfitojë nga një klimë e re politike dhe gjeostrategjike.

Një nga elementet që e dallon Kosovën nga shumë vende të tjera është fakti se qytetarët e saj vazhdojnë të jenë ndër më proevropianët në kontinent.

Në një kohë kur në disa vende anëtare të Bashkimit Evropian janë rritur tendencat euroskeptike, mbështetja e fuqishme e qytetarëve të Kosovës për projektin evropian përbën një kapital të rëndësishëm politik. Kjo është pikërisht ajo që ka nënvizuar edhe Riho Terras kur ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së kësaj mbështetjeje publike”, ka shpjeguar ai.

Gjithashtu, Berisha ka cilësuar se një nga sfidat kryesore për Kosovën mbetet mosnjohja nga pesë shtete të BE-së, gjë që krijon vështirësi politike dhe procedurale.

“Një nga sfidat më serioze vazhdon të jetë fakti se: Spanja; Greqia; Rumania; Sllovakia; Qiproja; ende nuk e kanë njohur  pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Edhe pse këto vende nuk e kundërshtojnë domosdoshmërisht perspektivën evropiane të Kosovës, mungesa e njohjes krijon vështirësi politike dhe procedurale.

Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë mbetet një nga temat kryesore të politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Megjithatë, zhvillimet e viteve të fundit kanë treguar se problemi nuk qëndron vetëm te Kosova, por edhe te mungesa e vullnetit të mjaftueshëm nga Serbia për të ecur drejt një normalizimi të mirëfilltë.

Forcimi i sundimit të ligjit, lufta kundër korrupsionit, modernizimi i administratës publike dhe zhvillimi ekonomik mbeten fusha ku kërkohet progres i mëtejshëm.

Megjithatë, këto reforma duhet të shihen si nevojë e shtetit dhe e qytetarëve të Kosovës, e jo vetëm si kërkesa të Bashkimit Evropian”, ka vlerësuar ai.

Tutje, Berisha ka nënvizuar se Kosova duhet të nisë një ofensivë të re diplomatike duke intensifikuar kontaktet me institucionet kryesore të BE-së dhe shtetet anëtare, si dhe duke forcuar partneritetin strategjik me SHBA-në.

Ai ka cekur edhe rolin e diasporës dhe mbështetjen e miqve të Kosovës në parlamentet evropiane si faktorë të rëndësishëm për avancim ndërkombëtar.

“Në rrethanat aktuale, Kosova duhet të ndërmarrë një ofensivë të re diplomatike.

Kjo nënkupton: Institucionet e Kosovës duhet të intensifikojnë kontaktet me: Komisionin Evropian; Parlamentin Evropian; Këshillin e Bashkimit Evropian.

Diplomacia kosovare duhet të ndërtojë ura komunikimi me qendrat politike në Madrid, Athinë, Bukuresht, Bratisllavë dhe Nikozi.

Partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdon të mbetet një nga faktorët më të rëndësishëm për avancimin ndërkombëtar të Kosovës.

Miqtë e Kosovës në Parlamentin Evropian dhe në parlamentet kombëtare të vendeve anëtare mund të luajnë rol të rëndësishëm në krijimin e një klime më të favorshme politike.

Diaspora shqiptare në Evropë dhe Amerikë përfaqëson një potencial të jashtëzakonshëm politik, ekonomik dhe intelektual, i cili mund të vihet në funksion të avancimit të interesave shtetërore.

Në diplomaci ekzistojnë momente historike që, nëse nuk shfrytëzohen, mund të mos përsëriten për shumë vite.

Rrethanat e reja gjeopolitike, mbështetja e miqve të Kosovës në institucionet evropiane dhe orientimi i qartë proevropian i qytetarëve të saj krijojnë kushte që të hapet një dritare e re për avancimin e statusit të Kosovës.

Megjithatë, kjo dritare nuk do të hapet automatikisht.

Ajo kërkon unitet të brendshëm politik, diplomaci të konsoliduar;koordinim të vazhdueshëm me aleatët strategjikë;reforma të qëndrueshme, dhe një vizion afatgjatë për vendin.

Deklarata e eurodeputetit estonez Riho Terras përbën më shumë sesa një mbështetje politike për Kosovën, ajo është një kujtesë se perspektiva evropiane e Republikës së Kosovës mbetet e hapur.

Nëse Bashkimi Evropian dëshiron të ruajë besueshmërinë e tij në Ballkanin Perëndimor dhe të forcojë stabilitetin e kontinentit, atëherë avancimi i Kosovës drejt statusit kandidat nuk duhet të shihet si favor politik, por si një investim strategjik në paqen, sigurinë dhe të ardhmen evropiane të rajonit.

Prandaj, mund të thuhet se një dritare e re për Kosovën ekziston. Sfida kryesore nuk është nëse ajo do të hapet, por nëse institucionet e Kosovës dhe partnerët e saj ndërkombëtarë do të dinë ta shfrytëzojnë këtë momentum historik”, ka përfunduar Berisha për “Bota sot”.

Të Ngjashme