Gjatë ditës së sotme është raportuar për disa fletëvotime nga komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, ku janë vërejtur shenja të pazakonta si “=”, “%” dhe simbole të tjera, duke ngritur dyshime se mund të jenë plotësuar në mënyrë të kontrolluar.
Lidhur me rastin, Prokuroria Themelore ka bërë të ditur se është njoftuar Prokurori i Shtetit nga Departamenti për Krime të Rënda dhe se me urdhër të tij është autorizuar Policia e Kosovës për të mbledhur dhe grumbulluar informacione relevante, me qëllim vlerësimin nëse ekzistojnë elemente të veprës penale.
“Konfirmojmë që është njoftuar Prokurori i Shtetit, nga Departamenti për Krime të Renda për këtë çështje penale.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është autorizuar Policia e Kosovës për mbledhjen dhe grumbullimin e informatave relevante nëse ekziston ndonjë element i veprës penale në lidhje me këtë rast”, thanë për redaksinë nga Prokuroria.
Ndërsa, pritet të shihet nëse Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa do të vendosë për hapjen e kamerave të sigurisë në qendrat e votimit, me qëllim verifikimin e dyshimeve të ngritura gjatë procesit zgjedhor.
