Arjan Konomi ka treguar në rrjetet sociale se është shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Himarës, pas një përplasjeje që, sipas versionit të tij, ka pasur me kryeministrin Edi Rama në Vuno.
Përmes një videoje të publikuar në Instagram pasi kishte dalë nga komisariati, Konomi ka rrëfyer me detaje se si nisi situata. Sipas tij, gjithçka lidhet me gjobat e vendosura ndaj automjeteve të parkuara në Vuno.
“Përshëndetje, sapo kam dalë nga … birruca e policisë së Himarës, mbas … përplasjes, përballjes me kryeministrin Edi Rama këtu në fshatin Vuno”, nis rrëfimin Konomi.
Ai pretendon se gjatë mëngjesit ishin gjobitur automjete të shumta në fshat dhe se kjo kishte shkaktuar pakënaqësi mes banorëve. Më vonë, teksa po kthehej pasi kishte dalë për të mbledhur fiq, Konomi thotë se ka parë kryeministrin dhe eskortën e tij pranë një lokali në Vuno.
Sipas tij, automjetet e eskortës ishin vendosur pikërisht në një zonë ku parkimi nuk lejohej. Konomi thotë se në atë moment ka nisur të filmojë dhe t’u kërkojë efektivëve një shpjegim se përse nuk vepronin njësoj edhe ndaj këtyre automjeteve.
“Atëherë nisa të bëja një video dhe t’i thosha policisë pse nuk gjobisni dhe kryeministrin, pse nuk gjobisni dhe këto makinat që janë këtu siç keni gjobitur para pak kohësh këtu që gjobitët tërë Vunoin”, shprehet ai.
Konomi tregon se Rama e ka thirrur pranë tavolinës dhe e ka ftuar disa herë të ulej, ndërsa ai ka vijuar t’i flasë për problemin e parkimit dhe gjobat ndaj banorëve.
“Pse nuk bëni një parkim? Pse ne duhet të marrim gjoba? Domethënë duhet të gjobiten banorët këtu të vendit edhe ata pak turista që vijnë këtu?”, thotë Konomi se i është drejtuar kryeministrit.
https://lokimagazine.com/wp-content/uploads/2026/08/SaveClip.App_AQMyK3r1eEQ4u8lzAE0GiKVgqLnftfiWU_Y64tpXCTBDDrZLirTCPpgly1iBXYRWBv8AbN0Clug_oKDJQjAdMBgCi5u0uKnsynuX6Lg.mp4
Në vijim të videos, ai pretendon se në bisedë ka ndërhyrë edhe bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama. Konomi përdor një sërë cilësimesh ndaj saj, ndërsa tregon se debati ka vijuar edhe për disa momente.
Sipas versionit të tij, situata më pas ka ndryshuar kur kanë ndërhyrë truprojat.
“Katër bodigardë, më rrëmbejnë telefonin … më ngrenë peshë”, deklaron Konomi, i cili pretendon gjithashtu se telefoni i është marrë dhe videot që kishte regjistruar i janë fshirë.
Më tej, ai thotë se është marrë nga efektivët dhe është dërguar në Komisariatin e Himarës, nga ku është larguar më vonë.
Konomi pretendon gjithashtu se gjatë episodit kryeministri ka kërkuar ndërhyrjen ndaj tij.

Deri në këtë moment, në informacionin e bërë publik nga Konomi nuk ka një version të palës tjetër mbi incidentin dhe rrethanat që çuan në shoqërimin e tij në polici.
