Një mësues i edukimit fizik në shkollën “Hajredin Beqaraj”, në Selenicë të Vlorës, është ndaluar nga policia, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht 7 nxënëse të mitura, të moshave 14–17 vjeçe.
Sipas informacioneve paraprake, mësuesi, me inicialet A. A., 35 vjeç, dyshohet se u ka dërguar mesazhe dhe i ka ngacmuar verbalisht vajzat, si në ambientet e shkollës, ashtu edhe përmes komunikimeve me shkrim.
Mësohet se nxënëset kanë denoncuar rastin fillimisht pranë drejtorisë së shkollës, ndërsa më pas Zyra Arsimore Selenicë ka njoftuar Policinë, e cila ka ndërhyrë duke bërë ndalimin e 35-vjeçarit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
