Avokati i Popullit, Endrit Shabani, ka reaguar pas sulmit që i bënë këtë paradite, ndërsa ishte në një lokal bashkë me prindërit.
Ai thotë se e njeh personin që e sulmoi, madje e ka pasur shok gjimnazi.
“Dje kryetari i Partisë Shqipëria Bëhet më sulmoi sërish (prej një viti tashmë), duke manipuluar një video ku përshëndesja dy deputetë. Si Avokat i Popullit raportoj çdo muaj në Kuvend dhe kam detyrim institucional të bashkëpunoj me të gjithë deputetët, pa dallim partie.
Por edhe më parë, nuk kam besuar kurrë se kundërshtari duhet trajtuar si armik, aq sa mos i japësh dorën. Jam i bindur se edhe Adriatiku, i cili ka dalë vetë në video duke qeshur me të njëjtët deputetë, e di mirë këtë.
Sot, Mevlan Mata, aktivist i së njëjtës parti, erdhi me kameraman poshtë pallatit ku jetoj, për të më filmuar duke më fyer, ndërsa pija kafe me prindërit e mi. Mevlanin e njoh që në shkollë të mesme dhe më vjen keq që i duhet të japë shenja të tilla besnikërie ndaj partisë.
Kritikën ndaj meje e pranoj, për sa kohë kam zgjedhur një detyrë publike. Por prindërit e mi të moshuar nuk e meritojnë të përfshihen në skena të tilla, sepse nuk janë pjesë e asnjë debati politik dhe nuk kanë asnjë përgjegjësi publike. Besoj fort që shtëpia dhe familja e çdo shqiptari duhet të mbeten të paprekshme, prandaj ky kufi nuk duhet kapërcyer”, thotë ai në reagimin e tij.
