Komuniteti i medias në vendin tonë është në zi, pasi gazetari i njohur nga Kavaja, Agron Shima, është ndarë nga jeta ditën e sotme, pas një sëmundjeje të rëndë.
Lajmin e ka bërë të ditur, përmes një postimi në rrjetet sociale, miku i tij, Fatmir Efica, i cili ka shprehur dhimbjen dhe keqardhjen për humbjen e kolegut dhe mikut të tij.
“Me mbuloi dëshpërimi dhe keqardhja. Kolegu im, gazetari i njohur në Kavajë, Agron Shima, ka ndërruar jetë pas një sëmundjeje të rëndë”, shkruan Efica, i cili më pas u ka shprehur ngushëllimet familjarëve të të ndjerit.
Gjithashtu, ka reaguar edhe një tjetër mik i Shimës, Artur Kanani, i cili shkruan se gazetari la gjurmë në zemrat e të gjithë atyre që patën fatin ta njohin.
“Ai ishte një njeri i fjalës së mirë, një profesionist i përkushtuar dhe një zë i respektuar i televizionit lokal të Kavajës. Me punën, përkushtimin dhe përulësinë e tij, la gjurmë në gazetari dhe në zemrat e të gjithë atyre që patën fatin ta njohin.
Ikja jote, Agron, është një humbje e madhe për familjen, miqtë, kolegët dhe për gjithë komunitetin. Do të kujtohesh gjithmonë me respekt, mirënjohje dhe mall”, shkruan ai.
Agron Shima e nisi karrierën e tij gjatë viteve ’80, ku punoi si korrespondent nga Kavaja për gazetat “Adriatiku” dhe “Sporti Popullor”.
Më pas, ai ishte pjesë e bordit themelues të gazetës sportive “Besa Sport”. Agron Shima dha një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e gazetarisë sportive lokale.
Më tej, ai punoi edhe në mediat elektronike, duke qenë pjesë e dy radiove të qytetit të Kavajës, si dhe e TV 6.

