Lajme

“E zbuloi tradhtinë”, tragjedia në ShBA: Burri vrau gruan, gjashtë fëmijët dhe më pas veten

Një baba dyshohet se vrau gruan dhe gjashtë fëmijët e tij, përpara se t’i jepte fund jetës në shtëpinë e familjes, të cilës më pas i vuri flakën, njoftoi policia.

Kristopher Karolkiewicz, 47 vjeç, bashkëshortja e tij Amanda Karolkiewicz, 39 vjeçe, dhe gjashtë fëmijët e tyre, të moshës nga 5 deri në 15 vjeç, u gjetën të vdekur të premten në mëngjes në Grand Haven Township, pranë liqenit Michigan, shkruan Metro, transmeton Klankosova.tv.

Zyra e Sherifit të Qarkut Ottawa bëri të ditur të hënën se të tetë viktimat kishin humbur jetën si pasojë e plagëve nga armët e zjarrit, në atë që po hetohet si një vrasje e shumëfishtë e ndjekur nga vetëvrasja.

Sipas hetimeve paraprake, Kristopher Karolkiewicz, i cili punonte për American Heart Association, i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës vetëm pak ditë para tragjedisë. Hetuesit besojnë se ai vrau anëtarët e familjes, më pas i vuri flakën banesës dhe kreu vetëvrasje.

Pas ngjarjes është zbuluar se Amanda kishte shkruar më herët në forumin “As One After Infidelity” në Reddit, ku kishte rrëfyer për tradhtinë e bashkëshortit me një praktikante në vendin e punës.

Ajo e përshkruante jetën e tyre në qytetin bregliqenor të Grand Haven si “si të jetoje në një film romantik”, derisa gjithçka ndryshoi pas zbulimit të tradhtisë.
Duke kujtuar fillimin e marrëdhënies me Kristopherin, Amanda shkruante:

“Ai ishte i divorcuar dhe më i madh se unë. Dhjetë vjet më vonë dhe me pesë fëmijë, ai po më tradhtonte sërish me një praktikante – në të njëjtën moshë që isha unë kur isha praktikante.”

Ajo tregonte se kishte kaluar një periudhë të gjatë duke fajësuar veten, derisa kuptoi se nuk mund të vazhdonte të jetonte në atë mënyrë.

Megjithatë, Amanda pranonte se ideja për t’u ndarë nga bashkëshorti e trembte jashtëzakonisht dhe se përpiqej ta mbante familjen të bashkuar për hir të fëmijëve, transmeton Klankosova.tv.

“I thosha vetes: ‘I dua fëmijët e mi më shumë sesa e urrej bashkëshortin tim në këtë moment.’ Ata nuk kishin asnjë ide se çfarë po ndodhte. Bëja sikur gjithçka ishte në rregull.”

Në një postim të vitit 2024, ajo shkruante se marrëdhënia ishte përmirësuar pas disa vitesh, por se ruajtja e saj kërkonte përpjekje të vazhdueshme.

Amanda shprehej gjithashtu se bashkëshorti kishte shfaqur prej kohësh “shenja të forta paralajmëruese”, të cilat ajo i kishte injoruar për shkak të traumave personale dhe lidhjes së saj emocionale me të.

Në postime të verifikuara nga Detroit News, ajo tregonte se, pasi kishte zbuluar edhe një episod tjetër të sjelljes së fshehtë të bashkëshortit, kishte kërkuar që ai të rikthehej në këshillim individual dhe që çifti të niste terapi martesore.

“Gjithçka është kaq e paqartë, sepse jeta jonë e përditshme dukej vërtet e mirë, derisa herë pas here ai bënte sërish gjëra fshehurazi.”/Klankosova.tv

Të Ngjashme