Albert Sylaj, i dyshuari për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, raportohet se ka kërcënuar me vrasje edhe zyrtarët policorë, duke u thënë se nuk do të dorëzohej i gjallë.
Këtë informacion e bëri publik Ermal Panduri, moderator i emisionit “Debat Plus” në RTV Dukagjini. Sipas tij, Sylaj ka komunikuar me Policinë ndërsa ndodhet në arrati dhe u ka dërguar zyrtarëve mesazhe kërcënuese. Ai paralajmëroi se do t’i vriste nëse tentonin ta arrestonin.
“Informatë ekskluzive: Kur ka komuniku policia me dorasin e dyshuar, ka thënë: ‘Nuk dorëzohem, iu vras edhe juve. I gjallë nuk dorëzohem'”, deklaroi Panduri.
Deri tani nuk dihet se kur dhe në çfarë rrethanash ka ndodhur ky komunikim. Deri në publikimin e këtij lajmi, Policia e Kosovës nuk ka reaguar publikisht për këtë pretendim.
Sylaj, i lindur më 12 dhjetor 1984 në Deçan, kërkohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”. Policia e ka shpallur në kërkim dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që çdo informacion për vendndodhjen e tij ta raportojnë në polici ose të paraqiten në stacionin më të afërt policor.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit në Vitomiricë, Policia sekuestroi një pushkë gjuetie, 153 fishekë, disa karikatorë dhe pajisje arme, tri thika, një bajonetë, 115 gëzhoja dhe një sëpatë.
Arlinda Zekaj, 49 vjeçe, u vra mbrëmjen e 25 tetorit, rreth orës 21:00. Ajo ishte kthyer në shtëpi vetëm pak minuta më parë nga Stacioni Policor në Pejë, ku kishte raportuar dhunë në familje.
