Janë të gatshëm në çdo moment.
Sa herë bie alarmi ata nisen pa hezitim pavarësisht kushteve e kohës.
E rreziku gjatë intervenimit në terren, për zjarrfikësit është i përditshëm.
Por, pavarësisht kësaj, edhe një herë 4 maji, po i gjen me vështirësi të ndryshme.
Për to, alarmin në Ditën Ndërkombëtare të tyre, e ngriti kryetari i sindikatës së zjarrfikësve.
“Kërkesat janë të kahershme. Jemi pa status të definuar. Edhe pse ligji ka kaluar për zjarrfikës-shpëtim është në Kuvend, nuk është në fuqi. Nuk jemi as shërbyes civil, as punonjës publik. Aktet themeluese i kemi me shërbimin civil, ashtu trajtohemi, me kondita të shërbimit civil. Edhe këtu i kemi, është ai problemi i cili është krijuar një dualizëm i pushtetit lokal dhe nivelit qendror. Pagat i marrim në komunë, jemi staf i Ministrisë së Punëve të Brendshme, përkatësisht Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave”, ka thënë Beka.
Beka i ka listuar edhe problemet e tjera më të cilat përballën zjarrfikësit në Kosovë.
“Zjarrfikësit janë të paktë në numër, nuk i plotësojnë kriteret sipas ligjit të zjarrfikës-shpëtimit që është një 1500 banorë një zjarrfikës. Mosha mesatare është e shtyrë, prag viteve të 50-ta. Pa sigurime shëndetësore, pa sigurime invalidore, me një koeficient më të ultin në raport me shërbimet tjera emergjente ose, them kështu, të uniformuara. Pa rrezikshmëri në punë, edhe pse shërbimi i zjarrfikësve është ndër specifikat e veçanta nga të gjitha kategoritë e tjera”, ka thënë tutje Beka.
E nga Komuna e Prishtinës, thonë se në kryeqytet, u investuan afër 3 milionë euro në përmirësimin e kushteve të zjarrfikësve.
Por, shtojnë se problem mbetet statusi i padefinuar i tyre.
“Realisht ne kemi kërkuar çdo herë dhe kërkojmë që ky status të zgjidhet se është një status i padefinum që për fat të keq i len në pozitë të pa lakmueshme zjarrfikësit profesional në Kosovë ata për momentin janë në listën e pagave të kryeqytetit gjitha shpenzimet tjera kryhen nga niveli lokal”, u shpreh Fushtica.
Pavarësisht që 4 maji shënon Ditën Ndërkombëtare të Zjarrfikësve, në kryeqytet kjo ditë nuk u shënua me asnjë aktivitet.
Por, një i tillë u shënua vetëm në qytetin e Mitrovicës së jugut.
