Lajme

Eksperti i Ballkanit kërkon më shumë presion ndaj mosnjohësve të Kosovës

Gjatë dëshmisë së tij para një komisioni parlamentar në Kanada, eksperti i njohur për Ballkanin, Dr. Jasmin Mujanoviç, u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë që mosnjohjen e Kosovës ta trajtojnë si prioritet diplomatik dypalësh në raport me shtetet e mbetura të Bashkimit Evropian që ende nuk e njohin pavarësinë e saj.

Mujanoviç, politolog dhe specialist i politikave për çështjet e Evropës Juglindore, dëshmoi para Komisionit të Përhershëm për Punë të Jashtme dhe Zhvillim Ndërkombëtar të Dhomës së Përfaqësuesve të Kanadasë. Ai ishte ftuar për të ofruar ekspertizën e tij lidhur me situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Në fjalën e tij, Mujanoviç deklaroi: “Nuk ekziston asnjë arsye koherente pse vende si Spanja, Sllovakia dhe të tjerat nuk e njohin sovranitetin e Kosovës.

Duke ndjekur sugjerimin e shkëlqyer të kongresistit Self, mendoj se Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja duhet t’u bëjnë të qartë atyre pesë shteteve të mbetura anëtare të Bashkimit Evropian se mosnjohja e Kosovës do të trajtohet si një çështje dypalëshe mes Uashingtonit dhe Otavës nga njëra anë, dhe atyre pesë kryeqyteteve nga ana tjetër.”

Pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e njohin Kosovën janë Spanja, Sllovakia, Greqia, Qiproja dhe Rumania.

Mujanoviç nënvizoi nevojën për një politikë të koordinuar perëndimore që do të ndihmonte avancimin e stabilitetit rajonal dhe integrimin euroatlantik në Ballkan. Dëshmia e tij përputhet me thirrjet më të gjera për një angazhim më të thelluar të Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara në rajon.

Kjo seancë dëgjimore që u mbajt me 4 qershor, pasqyron interesimin në rritje në Otava për një politikë më proaktive ndaj Ballkanit Perëndimor, në një kohë kur vazhdojnë tensionet gjeopolitike që përfshijnë Rusinë, Kinën dhe sfidat e stabilitetit në rajon.

Me origjinë nga Sarajeva, Dr. Jasmin Mujanović ka doktoruar në Universitetin York në Toronto. Ai është studiues, autor dhe bashkëpunëtor i lartë jorezident në New Lines Institute for Strategy and Policy në Uashington, D.C., ndërsa jeton dhe vepron në Los Anxhelos. Hulumtimet e tij përqendrohen në demokratizimin e shoqërive post-autoritare dhe post-konfliktuale në Ballkanin Perëndimor.

Ai është autor i dy librave të vlerësuar gjerësisht: “Hunger and Fury: The Crisis of Democracy in the Balkans” (2018) dhe “The Bosniaks: Nationhood After Genocide” (2023). Analizat dhe komentet e tij janë publikuar në media prestigjioze si The New York Times, The Washington Post, The Guardian, Foreign Affairs dhe Foreign Policy.

Të Ngjashme