Lajme

Eksperti i sigurisë: Serbia organizon drekë diplomatike kundër Kosovës, por nga Brukseli…

Eksperti i sigurisë, Gurakuç Kuçi, vlerëson se Serbia po vazhdon strategjinë e saj diplomatike kundër Kosovës duke forcuar bashkëpunimin me shtetet që nuk e njohin pavarësinë e saj.

Sipas tij, kjo qasje po i sjell kosto politike Beogradit, pasi bllokimi i procesit të integrimit në Bashkimin Evropian tregon se shtetet anëtare po e shohin me më shumë rezervë politikën e Serbisë.

Kuçi thekson se përpjekjet për ta penguar Kosovën mund t’i kthehen Serbisë në izolim politik dhe të ngadalësojnë rrugën e saj drejt BE-së.

Shkrimi i plotë:

Serbia organizon drekë diplomatike kundër Kosovës, por nga Brukseli tetë vende bllokim i integrimit evropian për Beogradin

Serbia po përpiqet ta mbajë aktive politikën e mosnjohjeve ndaj Kosovës. Dreka e kryeministrit Macut me përfaqësuesit e shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën nuk është gjest protokollar. Është vazhdim i strategjisë së Beogradit për ta përdorur mosnjohjen si instrument diplomatik kundër shtetësisë së Kosovës.

Por problemi për Serbinë është se kjo politikë nuk mbetet pa kosto.

Në të njëjtën kohë që Beogradi mundohet ta dëmtojë Kosovën në arenën ndërkombëtare, Serbia po përballet me bllokim në procesin e integrimit evropian. Moskalimi i rekomandimit për hapjen e kapitujve të rinj me BE-në tregon se një pjesë e shteteve anëtare nuk janë më të gatshme ta trajtojnë Serbinë si vend kandidat që mund të shpërblehet vetëm për retorikë.

Kjo është kontradikta kryesore e politikës serbe: kërkon përfitime nga BE-ja, por nuk sillet si shtet që e ka bërë zgjedhjen evropiane; flet për dialog, por investon në bllokim; kërkon stabilitet rajonal në deklarata, por në praktikë e përdor Kosovën si mjet presioni të brendshëm dhe ndërkombëtar.

Prandaj, ajo që Serbia e paraqet si sukses diplomatik kundër Kosovës, në fakt po kthehet në barrë politike për vetë Serbinë.

Qytetarët serbë që e duan një të ardhme evropiane duhet ta shohin qartë: politika e Vuçiqit nuk po e forcon Serbinë, po e mban të bllokuar. Fotot diplomatike, takimet me vende mosnjohëse dhe demonstrimi i forcës ushtarake mund të shërbejnë për propagandë të brendshme, por nuk prodhojnë zhvillim, integrim apo perspektivë evropiane.

Në fund, dëmi që Beogradi mundohet t’ia bëjë Kosovës mund të i kthehet Serbisë si izolim politik.

Dhe kjo si duket po lexohet gjithnjë e më qartë në Bruksel.

Të Ngjashme