Një 39-vjeçar me kombësi shqiptare është ekzekutuar me armë zjarri ditën e sotme, në rrugën “San Nicolás de Bussi”, në Playa Flamenca, në jug të provincës së Alicante-s, raportojnë mediat spanjolle.
Autori i krimit, sipas dëshmitarëve që ndodheshin në atë rrugë në bashkinë e Orihuela Costa-s, është një person që mbërriti me një skuter.
Sipas dëshmive, agresori iu afrua viktimës me skuter dhe qëlloi disa herë radhazi.
Më pas, autori u largua nga vendngjarja brenda pak sekondash. Identiteti i viktimës nuk bëhet i ditur.
Qendra e Informacionit dhe Koordinimit të Emergjencave dërgoi menjëherë një njësi të Shërbimit të Ndihmës Mjekësore të Emergjencës në Playa Flamenca.
Megjithatë, me të mbërritur, ekipi mjekësor, mundi vetëm të konfirmonte vdekjen e 39-vjeçarit në vendin e ngjarjes.
