Kuriozitete

SPAK kërkon 2.5 miliardë lekë për vitin 2027, 119 vende vakante, prioritet plotësimi i organikës

SPAK kërkon më shumë fonde nga buxheti i shtetit për vitin 2027. Plotësimi i organikës, shtimi i kapaciteteve hetimore dhe forcimi i sigurisë kibernetike janë ndër prioritetet kryesore të institucionit.

“Për buxhetin e miratuar, buxheti i institucionit është 2.3 miliardë lekë, ndërkohë që nevojat e rishikuara arrijnë në 2.5 miliardë ALL. Për rrjedhojë, ka një diferencë financimi prej 209 milionë lekësh, e cila lidhet kryesisht me shtimin e organikës me 25 punonjës dhe mbulimin e pagesave për gatishmërinë dhe orët jashtë orarit.”

Gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, përfaqësuesi i Prokurorisë së Posaçme, Alfred Shehu, bëri të ditur se kërkesa buxhetore është 2.5 miliardë lekë, ndërsa tavani i akorduar është 2.2 miliardë lekë.

“Në lidhje me hetimin, është e nevojshme shtesa prej 94 punonjësish të rinj. Realisht, sipas informacionit që kam, rreth 10 oficerë janë drejt përfundimit të procedurave, ose mund t’i kenë përfunduar tashmë ato. Problemi është se edhe 10 oficerët që janë miratuar aktualisht ndodhen ende në procesin e vetingut dhe të verifikimit të pasurisë. Pra, edhe 10 oficerët e parë ende nuk janë bërë efektivë në detyrë.”

Një nga problematikat mbetet organika e paplotësuar, ku aktualisht rezultojnë rreth 119 vende vakante. Shehu tha se institucioni është në proces rekrutimi, por procedurat e verifikimit të kandidatëve kërkojnë kohë.

Ndërkohë, drejtuesi i komisionit, Fatmir Xhafa, u ndal te rëndësia e rekrutimit të oficerëve të policisë gjyqësore nga radhët e institucioneve të tjera, duke theksuar se kjo mundëson shkëmbimin e përvojës edhe pas përfundimit të misionit të tyre në SPAK. Ai bëri të ditur se 10 oficerët e parë janë ende në proces verifikimi.

 “Më në fund do të merrni 50 oficerë të policisë gjyqësore që ligji ua kishte parashikuar që në fillim, gjithsesi më mirë vonë se kurrë.”

Në komision u diskutua gjithashtu për nivelin e realizimit të shpenzimeve, ku investimet në infrastrukturë, veçanërisht godina e SPAK-ut, mbeten në nivele jo të kënaqshme.

Të Ngjashme