Lajme

Emërimet e Kurtit/ Gazmend Halilaj: Nuk ka ndalim të prerë për emërime, por ka dilema politike

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka emëruar së fundmi disa zëvendësministra në qeverinë në detyrë, veprim që sipas njohësve të zhvillimeve politike lidhet me periudhën parazgjedhore dhe fushatën për zgjedhjet e 7 qershorit.

Këto emërime kanë nxitur reagime dhe kritika nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.

Së fundmi janë bërë tre emërime: Ali Dula, ish-kandidat për kryetar të Rahovecit, është emëruar në Ministrinë për Zhvillim Rajonal; Agon Batusha, ish-deputet, në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal; ndërsa Hysni Mehani, aktivist i hershëm, është emëruar në Ministrinë e Financave.

Avokati Gazmend Halilaj, për “Bota sot”, vlerëson se një qeveri në detyrë zakonisht duhet të kufizohet në vendime rutinë, por nuk ka ndalim të prerë për emërime.

Sipas tij, veprimet e Albin Kurti për emërimin e zëvendësministrave mund të shihen si vazhdimësi funksionale për institucionet, por edhe si vendime me ndikim politik, pasi ato ndikojnë në drejtimin e politikave publike.

“Pyetja nëse një kryeministër në detyrë ka të drejtë të emërojë zëvendësministra lidhet drejtpërdrejt me interpretimin e rolit të qeverisë në detyrë. Në praktikë, një qeveri në detyrë pritet të kufizohet në vendime rutinë dhe të shmangë vendime të mëdha politike që mund të ndikojnë afatgjatë, megjithatë nuk ka gjithmonë një vijë të prerë që e ndalon çdo emërim.

Në rastin konkret, emërimet e zëvendësministrave nga Albin Kurti mund të interpretohen në dy mënyra: nga njëra anë si vazhdimësi funksionale për të mbajtur institucionet operative, dhe nga ana tjetër si vendime me peshë politike, pasi zëvendësministrat ndikojnë në drejtimin e politikave publike”, deklaron ai.

Avokati thekson se debati nuk është vetëm juridik, por edhe politik: nëse emërimet janë të domosdoshme për funksionimin normal apo vendime që duhet t’i takojnë një qeverie me mandat të plotë.

Ai përfundon se qytetarët duhet të kërkojnë transparencë dhe arsyetim të qartë për çdo vendim.

“Prandaj, debati nuk është thjesht juridik, por edhe politik: a janë këto emërime të domosdoshme për funksionim normal, apo vendime që do të duhej t’i liheshin një qeverie me mandat të plotë? Si qytetarë, është me rëndësi të kërkojmë transparencë dhe arsyetim të qartë për çdo vendim, pavarësisht përkatësive politike” – përfundon ai.

Të Ngjashme