Takimet me qytetarët tashmë i kanë filluar, ndërsa të shtunën partitë politike i mësuan edhe numrat në të cilën do të garojnë në zgjedhjet e 7 qershorit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), të shtunën në orët e paradites ka bërë tërheqjen e shortit për përcaktimin e renditjes së subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Në këto zgjedhje që do të marrin pjesë gjithsej 3 koalicione, 17 parti politike dhe një kandidat i pavarur, numrat e tyre do të jenë:
Lëvizja Vetëvendosje do të garojë me numër 116,
Partia Demokratike e Kosovës do të garojë me numrin 125,
Lidhja Demokratike e Kosovës do të garojë me numrin 113,
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të garojë me numrin 128, Partia Socialdemokrate do të garojë me numrin 129.
Numrat të cilat tashmë janë zgjedhur, pasojnë pas publikimit të listave të partive politike, përmes kandidatëve që garojnë për zgjedhje.
Partia Demokratike e Kosovës, parti kjo e cila është partia më e madhe opozitare në vend, ka publikuar listën për zgjedhjet e 7 qershorit, ku kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka thënë se lista e partisë që ai udhëheq është e përbërë me profesionistë të dëshmuar në punë, në angazhim publik dhe në shërbim ndaj qytetarëve.
“Në këtë listë ka energji të re, por edhe përvojë. Njerëz që besojnë se Kosova meriton më shumë dhe më mirë. Mbi 50% e listës së kandidatëve janë prurje të reja, si pjesë e përkushtimit të PDK-së për t’u dhënë hapësirë kuadrove të rinj”, ka shkruar ai.
Hamza pasohet nga Uran Ismaili, Vlora Çitaku, Përparim Gruda, Arian Tahiri, Besa Kabashi Ramaj, Rrahman Ramaj, Arben Mustafa, Sala Jashari dhe Enver Hoxhaj.
Përveç listës, Hamza ka thënë se në ditët në vijim PDK do ta prezantojë edhe programin më serioz dhe më të përgjegjshëm për shtetin dhe qytetarët.
“Më 7 qershor, ju do ta keni edhe një mundësi për të vendosur për të ardhmen e vendit, ndërsa thirrja ime është e përzemërt: Besoni në Kosovë!”.
Analistët politikë kanë folur rreth listës së kësaj partie, duke thënë se PDK krijon përshtypjen se vërtetë vuan shumë për mungesë kuadrosh kualitativ dhe kandidatësh të mirënjohur politik. Sipas tyre, kjo listë nuk garanton sukses politik, nuk prodhon besim dhe nuk jep shpresë për ndryshim.
“Emra të ricikluar”
Analisti Gani Qarri, për “Bota sot” tha se, PDK ka bërë ndryshime “thelbësore”, por sërish pa përmbajtje në përbërje.
Sipas tij, lista e re sikur përfaqëson një balancë të vogël, por jo domososhmërisht të mjaftueshme për t’u quajtur e mirë apo “më e mirë”.

Analisti Gani Qarri
“Në fakt, krahasuar me emrat që kjo parti garoi në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar, krijohet përshtypja se në listën e publikuar të kandidatëve për deputetë, për zgjedhjet e 7 qershorit 2026, PDK ka bërë ndryshime “thelbësore”, por sërish pa përmbajtje në përbërje, ani pse një numër kandidatësh të mëparshëm nuk janë më pjesë e garës dhe për këto zgjedhje janë futur emra të rinj, që nuk figuronin edhe në zgjedhjet e 28 dhjetorit, 2025. Duke pasur parasysh se shumica e atyre që nuk janë propozuar, nuk kanë folur asnjë fjalë në seancat parlamentare dhe nuk kanë dëshmuar me asnjë aktivitet politik as partiak, se meritonin postin e deputetit, lista e re, sikur përfaqëson një balancë të vogël, por jo domosdoshmërisht të mjaftueshme për tu quajtur e mirë, apo “më e mirë” mes figurave të reja dhe atyre të vjetruara në politikën partiake, pasi që pjesa më e madhe e figurave të vjetra, realisht, janë kthyer në pengesë për reformimin e partisë dhe përmirësimin e imazhit të PDK-së në politikën vendore”, thotë Qarri.
Ai thotë se emrat në listën e PDK-së janë emra të ricikluar shumë herë dhe nuk beson se do t’i sjellë dobi.
“Me emrat e kandidatëve të ricikluar e disa nga ata edhe të deklasuar paraprakisht nga votuesi si Hajdar Beqa, Xhavit Haliti, Bekim Haxhiu, Elmi Reçica, përfshi edhe Vlora Çitakun, Ganimete Musliun, Mërgim Lushtakun etj, PDK po krijon përshtypjen se vërtetë vuan shumë për mungesë të kuadrosh kualitativ dhe kandidatësh të mirënjohur politik, të cilët përveçse nuk sjellin frymë të re, janë vazhdimësi e figurave të vjetruara brenda partisë, që më tepër krijojnë përshtypjen te votuesi se PDK është amortizuar deri në ato përmasa, sa që e ka të pamundur të mos përdor emra të ricikluar shumë herë, përkundër faktit të ditur mirë, se ata më shumë fusin frustrim se sa frymëzim te elektorati vendor, një listë që unë nuk besojë se PDK-së, do ti sjellë dobi, derisa ajo, qysh në fillim, është ndërtuar, më shumë për të përfituar politikisht dhe financiarisht emrat e konsumuar nga zgjedhjet e jashtëzakonshme, se sa për të fituar si parti dhe krijuar një ekip funksional qeverisës PDK”, shton Qarri.
“Ideale të konsumuara, pa kauzë të mirëfilltë”
Edhe analisti Adnan Qaka, konsideron se lista në thelb nuk sjellë asnjë frymë të re.
Sipas tij, lista paraqet vazhdimësinë e së njëjtës mendësi politike të konsumuar, të së njëjtës kulturë të dështuar qeverisëse dhe të njëjtave figura që tashmë kanë humbur kredibilitetin.

Adnan Qaka
“Lista e Partisë Demokratike të Kosovës, ashtu si edhe listat e partive tjera parlamentare në këto zgjedhje, nuk përfaqëson vlera të mirëfillta parlamentare dhe dëshmon qartë mungesën e kandidatëve me kredibilitet të lartë intelektual, politik dhe kombëtar. Kjo listë është një përzierje e figurave të vjetra që prej shumë vitesh janë pjesë e PDK-së dhe disa emrave më të rinj, por që në thelb nuk sjell asnjë frymë të re, asnjë vizion të ri dhe asnjë ndryshim real për qytetarët e Kosovës. Përkundrazi, ajo paraqet vazhdimësinë e së njëjtës mendësi politike të konsumuar, të së njëjtës kulturë të dështuar qeverisëse dhe të të njëjtave figura që tashmë e kanë humbur kredibilitetin dhe nuk kanë më çfarë t’i ofrojnë shtetit”, deklaron Qaka për “Bota sot”.
Lista e PDK-së, sipas Qakës, nuk garanton sukses politik, nuk prodhon besim dhe nuk jep shpresë për ndryshim.
“PDK-ja, sikurse të gjitha partitë parlamentare, ka pësuar regres të thellë në përfaqësimin politik dhe parlamentar. Dikur kjo parti identifikohej me disa figura me nivel të lartë intelektual dhe politik, ndërsa sot ajo nuk posedon kapacitetin e nevojshëm për të qenë forcë serioze shtetformuese apo alternativë bindëse për qytetarët. Kjo listë nuk garanton sukses politik, nuk prodhon besim dhe nuk jep shpresë për ndryshim. Ajo është ndërtuar më shumë mbi logjikën e pengimit të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes që të mos arrijnë mbi 40%, sesa mbi një platformë të qartë për zhvillimin ekonomik, forcimin e shtetit dhe ndërtimin e institucioneve funksionale. Edhe ky objektiv, sipas mendimit tim, është i paarritshëm për PDK-në, sepse VV-ja ka gjasa të marrë më shumë se 51% të votave. Synimi real i kësaj partie duket të jetë vetëm dalja si forcë e dytë dhe më pas krijimi i një koalicioni opozitar për ta larguar Vetëvendosjen nga pushteti. Kjo nuk është alternativë politike dhe as vizion shtetëror, por thjesht luftë për pushtet dhe interesa partiake. Fatkeqësisht, këto zgjedhje nuk pritet të sjellin zgjidhje për krizën politike në vend”, pohon analisti.
PDK-së i nevojitet urgjentisht një reformim i thellë politik dhe organizativ, thotë Qaka, duke shtuar se e udhëheqin grupe interesi.
“PDK-ja hyn në këtë garë me të njëjtat ideale të konsumuara, pa një kauzë të mirëfilltë kombëtare dhe me individë që nuk njihen për integritet politik, por më shumë për lidhje oligarkike, interesa personale dhe qasje destruktive ndaj shtetit. Kemi të bëjmë me një parti që vazhdon me të njëjtën mendësi, me të njëjtat metoda dhe me të njëjtën frymë politike që ka dëmtuar skenën politike të Kosovës për vite me radhë. Një parti e tillë jo vetëm që nuk do t’i fitojë zgjedhjet, por nuk do të jetë në gjendje të prodhojë as qeverisje stabile dhe funksionale për vendin. PDK-së i nevojitet urgjentisht një reformim i thellë politik dhe organizativ, si dhe largimi i klaneve, dhe grupeve të interesit që ende e mbajnë të kapur dhe e udhëheqin këtë parti prej vitesh., si dhe ndalimi i diskursit përçarës dhe toksik politik. Kosova ka nevojë për alternativa të reja politike dhe për krijimin e një klase të mirëfilltë intelektuale dhe kombëtare. Me këta liderë politikë, me këto mendësi dhe me këtë kulturë politike që ka dominuar vendin që nga paslufta, nuk mund të priten zhvillime pozitive për shtetin tonë”, shton Qaka.
Në fund ai kërkon politikanë të rinjë, duke thënë se me veprimet e partive politike që nga paslufta e deri më sot janë zhgënjyer qytetarët.
“Kosovës i duhen politikanë me integritet të lartë moral, intelektual dhe kombëtar, njerëz që e vendosin interesin shtetëror mbi interesat personale dhe partiake. Fatkeqësisht, nuk pres që këto zgjedhje të prodhojnë një qeveri stabile dhe funksionale. Përkundrazi, mendoj se vendi do të vazhdojë të përballet me paqëndrueshmëri politike, sepse kësaj klase politike, pa përjashtim, më shumë i intereson pushteti sesa interesi kombëtar. Partitë politike janë mbushur me mediokër, servilë dhe njerëz pa vizion shtetëror, të cilët për interesa personale kanë dëmtuar rëndë besimin e qytetarëve në politikë dhe institucione. Me veprimet e tyre që nga paslufta e deri më sot, këto parti politike kanë zhgënjyer qytetarët, kanë dëmtuar interesin kombëtar dhe kanë shkelur sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve të Kosovës. Për gjendjen e rëndë politike, ekonomike dhe institucionale në të cilën ndodhet sot Kosova, përgjegjësia bie mbi të gjitha partitë parlamentare që kanë qeverisur vendin në periudhën e pasluftës”, përfundon analisti për “Bota sot”.
