Nis sot edicioni i 70-të i Eurovision Song Contest, me gjysmëfinalen e parë në kryeqytetin austriak në Wiener Stadthalle, ku 15 vende do të garojnë për një vend në finalen e madhe të së shtunës. Organizatori i këtij viti është Austria, pas fitores së këngëtarit JJ në Eurovision 2025 me këngën “Wasted Love”.
15 vendet pjesëmarrëse në gjysmëfinalen e parë janë: Moldavia, Suedia, Kroacia, Greqia, Portugalia, Gjeorgjia, Finlanda, Mali i Zi, Estonia, Izraeli, Belgjika, Lituania, San Marino, Polonia dhe Serbia.
Dhe dy vendet e tjera, konkretisht Gjermania dhe Italia, kualifikohen automatikisht për finalen dhe do të performojnë e do të votojnë gjatë këtij spektakli.
Shqipëria së bashku me 14 vende të tjera, sikurse Bullgarinë, Azerbajxhanin, Rumaninë, Luksemburgun, Çekinë, Armeninë, Zvicrën, Qipron, Letoninë, Danimarkën, Australinë, Ukrainën, Shqipërinë, Maltën dhe Norvegjinë do të marrin pjesë në gjysmëfinalen e dytë që do të zhvillohet të enjten, më 14 maj.
Ndërsa Austria, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar (që kalojnë direkt në finale) gjithashtu do të performojnë dhe votojnë gjatë shfaqjes.
Alis dhe kënga shqiptare “Nan”
Shqipëria do të përfaqësohet nga Alis me këngën “Nan”, e cila ka fituar zemrat e publikut dhe fansave ndërkombëtarë. Gazetarja Sonila Agostini, në një lidhje Skype nga Vjena për emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, bëri thirrje për mbështetjen e këngës shqiptare.
“Nëse janë pjesë e vendeve që janë pjesëmarrëse të Eurovizionit, mjafton numri 13 që është kënga përfaqësuese e Alis dhe gjithashtu kodet e vendeve të tyre. Ndërsa nëse janë nga vende të tjera që nuk janë pjesë e Eurovizionit, ata mund të votojnë më datë 14 për këngën e Alis gjatë gjithë ditës më datë 14. Nuk do të mund të votojnë në momentin që transmetohet drejtpërdrejt spektakli i Eurovizionit dhe do të mund të votojnë edhe pak minuta pasi kënga e Alis dhe pasi vetë spektakli të ketë përfunduar në mënyrë që votat e tyre të bashkohen si një buqetë dhe të na çojnë në finale. Kjo do të ishte një arritje e rëndësishme dhe një shpërblim i sakrificës së madhe që Alis dhe Radio Televizioni Shqiptar ka bërë gjatë këtyre gjashtë muajve”, tha Agostini.
Në Finalen e Madhe, votimi do të hapet pak para se të interpretohet kënga e parë. Do të qëndrojë i hapur gjatë të gjitha performancave dhe për afërsisht 40 minuta pasi të jetë interpretuar kënga e fundit. Mund të votoni me telefon, SMS ose në esc.vote varësisht nga vendi ku ndodheni, dhe mund të votoni deri në 10 herë.
Nëse ndodheni në një vend jo pjesëmarrës, dritarja e votimit do të hapet në mesnatë para çdo gjysmëfinaleje dhe do të qëndrojë e hapur deri në fillimin e shfaqjeve live. Votimi më pas ndërpritet ndërsa artistët performojnë dhe do të rihapet pas këngës së fundit. Më pas do të keni pak më pak se 20 minuta për të hedhur 10 votat tuaja.
Performanca e Alis në skenë sjell një mesazh të fuqishëm mbi rolin e nënës në familjen shqiptare, duke kombinuar thjeshtësinë e tekstit me një motiv muzikor të thellë. Videoklipi shoqërues i këngës nënvizon rëndësinë e figurës së nënës, duke e bërë performancën të prekshme dhe universale.
Gjatë ditëve të fundit, Alis ka marrë pjesë në prova intensive, paradat e artistëve dhe intervista me fansat, duke promovuar këngën dhe duke krijuar lidhje me komunitetin ndërkombëtar të Eurovisionit.
Kalendari i netëve
Sonte, 12 maj: Gjysmëfinalja e parë – 15 këngëtarë, 10 kualifikohen për finalen e shtunës.
E enjte, 14 maj: Gjysmëfinalja e dytë – performanca e Alis dhe 14 artistëve të tjerë, 10 prej tyre kualifikohen për finalen.
E shtunë, 16 maj: Finalja e madhe – performancat e të gjithë finalistëve, përfshirë vendet që kualifikohen automatikisht dhe fituesin e gjysmëfinaleve.
Ky Eurovision shënon një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, duke shërbyer jo vetëm si garë muzikore, por edhe si festë e kulturës dhe identitetit shqiptar në një skenë ndërkombëtare.
