Lajme

Familja e veprimtarit Haki Imeri me akuza të ashpra ndaj Mërgim dhe Sami Lushtakut: Shpifjet nuk e zbehin të kaluarën

Familja e veprimtarit të ndjerë, Haki Imeri, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Mërgim Lushtaku, duke e akuzuar atë për, siç thonë ata, përhapje të deklaratave të pavërteta dhe sulme politike ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Në reagimin e publikuar, familja Imeri e cilëson Mërgim Lushtakun si “gënjeshtar ordiner”, duke e lidhur atë me të atin, Sami Lushtaku. Sipas tyre, Lushtaku ka bërë edhe më herët deklarata të pavërteta, duke përmendur një pretendim të tij në televizion se Albin Kurti kishte kërkuar largimin e fotografisë së Adem Jashari.

Familja Imeri vlerëson se këto deklarime janë pjesë e një fushate të organizuar kundër Kurtit, të cilin e përshkruajnë si “kryeministrin më të votuar nga shqiptarët e Kosovës”. Në reagim thuhet se fitoret e njëpasnjëshme të Kurtit kanë sfiduar partitë që, sipas tyre, “uzurpuan gjithçka në emër të luftës dhe lirisë”.

Ata shprehen gjithashtu se “shpifjet ordinere” nuk mund të zbehin, siç pretendojnë, të kaluarën e Sami Lushtakut, duke shtuar se për çështjet e së kaluarës “një ditë do të flasë drejtësia”.

Në fund të reagimit, familja Imeri i shpreh mbështetje kryeministrit Kurti, duke vlerësuar se ai ka arritur t’i mposhtë kundërshtarët politikë përmes fitoreve zgjedhore.

Të Ngjashme