Gjatë javës qëndruan në Kosovë.
Pjesëtarë të FBI amerikane e Europolit asistuan Policinë e Kosovës në disa operacione të ndjeshme.
Kësisoj, u arrestuan tetë persona për vepra të ndryshme si trafikim me narkotikë, financim terrorizmi, shpërlaje parash e krim të organizuar.
Ish-eprori në Policinë e Kosovës, Refki Morina, prezencën e tyre po e sheh pozitive për vendin.
“Me vetë faktin e organizimit të tillë shihet se Policia e Kosovës dhe institucionet tona të sigurisë kanë kapacitet të bashkëpunojnë me institucionet e sigurisë dhe shtet që kanë një përvojë të gjatë në siguri dhe luftimin e krimit të organizuar etj., prandaj është e mirëseardhur dhe kjo tregon profesionalizëm të Policisë së Kosovës dhe institucioneve tona të sigurisë”, thotë Morina.
Edhe majori në pension i Policisë, vlerëson se Kosova mbetet partner i besueshëm i tyre.
“Kjo punë është e mirë me të vetmin qëllim se krimi nuk njeh nacionalitet, nuk njeh shtet, krimi është krim gjithkund në botë dhe duhet të luftohet bashkarisht që të jemi më të suksesshëm. Në kuadër të kësaj edhe Kosova ka bashkëpunim të shkëlqyeshëm me këto organizata, kemi një njësit i cili mirret me këtë çështje dhe është një ndër njësitë më elite që punojnë rreth krimit të organizuar dhe krimit të përgjithshëm”, thotë majori në pension, Qazim Reka.
Sipas tij, institucionet duhet të fokusohen më shumë në rritjen e këtij bashkëpunimi.
“Policia e Kosovës është formu nga ta, gjithë trajnimet i kemi marrë nga ta dhe jam i bindur që ne si Polici e re dhe Policia në përgjithësi ka fuqi të bashkëpunojë dhe kemi shumë profesional në këtë çështje, por a duhet shtuar, sigurisht se po, a duhet trajnime, sigurisht se duhet, trajnime, por të vetmin qëllim që të arrihen rezultate sa më të mira në bashkëpunim me këto organizata”, tha ai.
Policia e Kosovës ende nuk është pjesë e INTERPOL-it.
Por, në shumë raste është arritur që të kryhen aksione policore me rezultat luftimin e dukurive negative.
