Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, ka vlerësuar se aksioni me kamionë-ekranë në Nju Jork, që afishon pretendime për dhunë e diskriminim të serbëve në Kosovë, është pjesë e një narrative më të gjerë që synon të ndikojë audiencën perëndimore për Kosovën si shtet “represiv”.
Në analizën “Kamionët e ‘viktimizimit’ në Nju Jork”, Fetoshi e cilëson aksionin manovër serbo-ruse për presion ndaj Perëndimit, me qëllimin për ta “kriminalizuar” Kosovën.
Sipas tij, koha dhe vendi i zhvillimit të aksionit nuk janë të parëndësishme, pasi kamionët janë shfaqur në Nju Jork në prag të Debatit të Përgjithshëm dhe Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kur në qytet është përqendruar vëmendja politike, diplomatike dhe mediale ndërkombëtare.
Fetoshi thotë se aksioni, i prezantuar nga organizatorët si “humanitar”, përdor pamje reale nga periudha të ndryshme, por i vendos ato në një sekuencë të përbashkët për të krijuar perceptimin e vazhdimësisë së “persekutimit” të serbëve në Kosovë.
“Një mekanizëm propagandistik që ka selektuar pamje reale nga ngjarje të ndryshme në kohë, duke i montuar si ‘prova’ për vazhdimësinë e ‘persekutimit’ të serbëve, përforcohet edhe me mesazhe mbështetëse ndaj Presidentit Trump”, thuhet në analizë.
Në ekranet e kamionëve janë përfshirë pamje nga trazirat e marsit 2004, si dhe incidente, arrestime, protesta dhe veprime institucionale të viteve të mëvonshme. Sipas Fetoshit, vendosja e këtyre ngjarjeve të shkëputura nga konteksti në një rrëfim të vetëm synon të projektojë një model të vazhdueshëm të “dhunës” ndaj serbëve.
Ai vëren se në dy vitet e kaluara të aksionit, kamionët-ekranë kanë afishuar edhe pretendime për krimet e UÇK-së, ndërsa në përmbajtjen e raportuar deri tani për sivjet, ky element nuk shfaqet. Fetoshi e lidh këtë me deklaratat e Daçiqit, i cili e ka interpretuar vendimin si konfirmim të pretendimeve të Serbisë për UÇK-në si “organizatë kriminale”.
Analiza e lidh fushatën vizuale në rrugët e Nju Jorkut edhe me mesazhet e paralajmëruara nga Aleksandar Vuçiq për paraqitjen e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Për Fetoshin, kamionët-ekranë funksionojnë si “vizualizim paralel” i kësaj narrative politike. Në të njëjtën kohë, analiza evidenton përputhjen me narrativën ruse për “standardet e dyfishta” të Perëndimit.
Fetoshi sjell në vëmendje deklaratat e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe kornizimin e aksionit nga RT Balkan me titull “Terrori i Kurtit kundër serbëve ka mbërritur në Nju Jork”. “Kurthi serb dhe rus në Nju Jork është presioni ndaj Perëndimit lidhur me ‘gabimin’ e vitit 1999”, thotë Fetoshi.
Nga Serbia, vazhdon ai, duke “argumentuar” me pretendimet për “luftën kriminale të UÇK-së” si baza e një shteti të “kriminalizuar”, i cili është mbështetur nga “agresioni i NATO-s” dhe vazhdon politikën e “terrorit” ndaj serbëve, kurse nga Rusia, duke “vërtetuar” ndërhyrjen jolegjitime të NATO-s dhe “dyfytyrësinë” e Perëndimit. “Prandaj, “kamionët-ekranë në Nju Jork kanë eksportuar ‘mallin’ më të rrezikshëm për vlerat dhe kohezionin perëndimor, për rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe për paqen e brishtë në Ballkan”, përfundon analiza.
