Lajme

“Sikur të më ndahet trupi për gjysmë…”- rrëfimi i familjarëve për jetën dhe rënien e Xhevë Lladrovcit

Çdo 22 shtator e gjenë pranë varreve të dy heronjve.

Është kjo Servetja motra e heroinës Xhevë Krasniqi-Lladrovci.

Kjo e fundit, ra heroikisht 28 vjet me parë gjatë një beteje me forcat serbe në vendin e quajtur “Gradinë” afër fshatit Gllanasellë të Drenasit.

E ani pse kanë kaluar gati tri dekada, Servetja nuk e harroi asnjëherë dashurinë e përkujdesjen e motrës së madhe.

“Të flasim me javë, me muaj, me vite, është e vështirë ta përshkruaj atë se çfarë ka qenë dada Xheve. Dada ka qenë një motër shumë e mirë, e pazëvendësueshme. Për neve ka qenë edhe motër, edhe nënë, nëna, na ka ikur shumë herët. Dada na ka rrit, na ka eduku, na ka përmirësuar në rrugën e drejtë të popullit dhe të atdheut, që gjithmonë të jemi bijë dhe bija në shërbim të kësaj toke.Ka qenë diçka e tmerrshme, diçka e rëndë, diçka e papërshkrueshme, diçka e pazëvendësueshme”, ka thënë motra e Xhevë Krasniqi-Lladrovci, Servetja .

Luftëtarja e vetme e UÇK-së me gradën e gjeneral-majorit, u vra nga forcat serbe disa minuta pas rënies së burrit, komandantit, Fehmi Lladrovci.

Prandaj lajmi për rënien e tyre, ishte i rëndë.

“Sikur te me ndahet trupi për gjysmë, ashtu ka qenë edhe jeta ime, edhe trupi im, edhe zemra, edhe shpirti”, ka thënë tutje motra e Xhevë Krasniqi-Lladrovci, Servetja .

Ndërkohë, Selim Krasniqi, thotë se motra dhe dhëndri, shërbyen si frymëzim për këdo që iu bashkua UÇK-së.

“Unë në fakt kam qenë, thashë kam qenë bashkëluftëtar me ta, po në momentin kritik, ditën kritike nuk kam qenë në këtë në këtë pjesë. Edhe natyrisht që në fakt ne kemi qenë edhe të përgatitur që mund të vritemi, se kush ka hyrë në luftë e ka ditur se edhe mund të vritet. Mirëpo gjithsesi dhe dhimbja ka qenë e madhe, sepse Fehmiu dhe Xheva kanë qenë kanë qenë për neve frymëzim i madh. Edhe kontributi i tyre natyrisht  që ka bërë, ka bërë që të mobilizohen shumë njerëz edhe nga mërgata, po edhe nga Kosova, edhe ta kapin pushkën e të luftojnë për liri. Për ne pra ka qenë me të vërtetë edhe dhimbje edhe humbje e madhe ajo ditë, sepse ranë të dy”, u shpreh vëllau i Xhevës, Selim Krasniqi.

E fjalët me të mira për ta i kanë edhe familjarët.

“Kur mërzitem shumë, vij. Bisedoj me ta. Flas me ta. Edhe pse nuk flasin, mendoj që në heshtje më dëgjojnë. Dhe nga lart më vështrojnë. E kam pasur lidhjen e fortë. Më kanë dashur shumë edhe i kam dashur. Më mungojnë jashtëzakonisht shumë. I mungojnë Kosovës”, deklaroj kunata e Xhevës, Shemsie.

E të martën, homazhe pranë varreve të Fehmi dhe Xhevë Lladrovit, bën edhe figura të njohura si dhe qytetarë të shumtë.

Të Ngjashme