Lajme

Fetoshi: Kosova mbetet target i Rusisë, anëtarësimi në NATO rruga e vetme për paqe të qëndrueshme

Arben Fetoshi, drejtor i Institutit Octopus ka thënë se Kosova vazhdon të mbetet objektiv i ndikimit rus, duke theksuar nevojën për një qasje më të qartë strategjike në raport me sigurinë dhe integrimin euroatlantik.

Në një intervistë në FIVE në RTV Dukagjini, Fetoshi foli për sfidat e sigurisë në Evropë dhe ndikimin e politikave ndërkombëtare.

“Sfidat që ndërlidhen me qasjen e presidentit Donald Trump ndaj raportit euroatlantik e nënkuptojnë një shqetësim të madh të liderëve evropianë në aspektin e sigurisë dhe mendoj që modeli i SHBA-ve do të duhej të ndiqej edhe nga Bashkimi Evropian sa i përket qartësisë në rrugën përpara drejt sigurimit të paqes për kontinentin e vjetër”, ka thënë ai.

Ai theksoi se qartësia e politikës amerikane duhet të shërbejë si model edhe për Ballkanin Perëndimor.

“Në këtë kuptim do të doja ta theksoja qartësinë amerikane në raport me Ballkanin Perëndimor, në veçanti nëse i referohemi nismave të presidentit Trump për bordin e Paqes, nëse i referohemi iniciativës së tre kongresmenëve amerikanë për anëtarësimin e Kosovës në NATO si rruga e domosdoshme që do të duhej të pasohej me prioritetin absolut të Republikës së Kosovës në këtë drejtim, për shkak se pavarësisht rëndësisë që ka Komuniteti Politik Evropian si forum i rëndësishëm i trajtimit të sfidave dhe problemeve që e preokupojnë BE-në dhe sigurinë evropiane në përgjithësi”, ka deklaruar Fetoshi.

Sipas tij, orientimi strategjik i Kosovës duhet të jetë i qartë dhe i fokusuar në anëtarësimin në NATO.

“Rëndësi strategjike për Kosovën sot është orientimi i plotë dhe prioritet absolut i vendit për anëtarësim në NATO si rruga e vetme që garanton paqe të qëndrueshme, në qoftë se i referohemi ambicieve të vazhdueshme të Serbia dhe boshtit serbo-rus për depërtim gjithnjë e më të madh në rajonin tonë”, ka thënë ai.

Të Ngjashme