Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, në një reagim në Facebook, ka thënë se letra e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, drejtuar sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, me kërkesën që KFOR-i të ndalë hapjen e Urës së Ibrit, është përpjekje e frustruar e Serbisë për ta ruajtur atë si simbol të ndarjes. Sipas Fetoshit, Beogradi po përpiqet ta paraqesë si kërcënim pikërisht atë që NATO e vlerëson si përmirësim të sigurisë.
“Letra e Aleksandar Vuçiqit drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, me të cilën paska kërkuar që KFOR-i të ndalë hapjen e Urës së Ibrit, është përpjekje e frustruar e Serbisë për ta ruajtur kuptimin politik të saj si simbol i ndarjes dhe për ta kornizuar si kërcënim, pikërisht atë që NATO e vlerëson përmirësim të sigurisë. Vendimi të cilin NATO e cilësoi “progres konkret” për garantimin e lirisë së lëvizjes, është demantimi më i rëndësishëm i luftës narrative për “Kosovën represive”, duke e bërë të padiskutueshme dhe të pakthyeshme çështjen e stabilitetit e sundimit të ligjit, lirinë e lëvizjes së qytetarëve, automjeteve, mallrave dhe ideve në veri”, tha Fetoshi.
Sipas tij, propaganda për “sulmet sistematike dhe spastrimin etnik” të serbëve në Kosovë është dekonstruktuar dhe mund të përdoret gjithnjë më pak si “argument” për strategjinë e destabilizimit në veri.
“Ballafaqimi shqiptaro-serb” në veri ekziston vetëm në retorikën e Vuçiqit dhe strukturave të tij shtetërore e paramilitare. Kosova ka ndërtuar dhe funksionalizuar dy ura mbi lumin Ibër, të cilat kanë sjellë komunikim, zhvillim dhe normalizim. Pretendimi se kalimi i automjeteve mbi urën kryesore do të prodhojë kërcënim për sigurinë, është jo vetëm absurd, por edhe instrumental sa i përket ndarjes në kuadër të qëllimeve hegjemoniste. Vuçiq e paska përmendur edhe sigurinë rajonale. Por, para se ta lidhë atë me lirinë e lëvizjes së automjeteve mbi një urë, ai duhet ta kujtojë se: Strukturat kriminale dhe ilegale që bllokonin rrugët, sulmonin qytetarët dhe institucionet në veri, nuk kanë kaluar nga ura. Sulmuesit e KFOR-it, që lanë mbi 90 ushtarë të tyre të plagosur, nuk kanë kaluar nga ura. Sulmuesit e gazetarëve, qytetarëve e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, nuk kanë kaluar nga ura. Planifikuesit, organizatorët dhe sulmuesit terroristë në Banjskë, as kur u larguan për strehim në Serbi, nuk kanë kaluar nga ura. Armatimi i sofistikuar, me vlerë miliona eurosh, i konfiskuar në veri, nuk ka kaluar nga ura. Sulmuesit e kanalit të Ibër-Lepencit, nuk kanë kaluar nga ura. Rrjetet e kontrabandës së mallrave, drogës dhe emigrantëve që operonin përgjatë kufirit, nuk kalonin përmes urës dhe presioni sistematik ndaj serbëve të Kosovës nga Beogradi dhe strukturat ilegale, nuk kalon përmes urës”, shkroi ai.
Prandaj, sipas tij, problemi i Vuçiqit nuk është ura. Problem është infrastruktura e destabilizimit, e furnizuar përgjatë viteve me simbolin e ‘ndarjes’ mbi Ibër.
“Strategjisë së tij i duhet të projektojë tensione, sepse tensionet e mbajnë gjallë narrativën e “serbëve të kërcënuar”. I duhet ndërhyrja, në mënyrë që bashkë me rrethin e tij të përfitojë miliona euro, të cilat kinse i ndan për serbët e Kosovës, ndërsa i shfrytëzon për interesat e tij. Në këtë sistem interesash hyn edhe roli i “heroit” të tij, Milan Radoiçiq dhe strukturave që kanë vepruar në veri. Mirëpo, NATO s’ka nevojë për letra të Vuçiqit, që ta dijë prej nga kanë ardhur kërcënimet e sigurisë në veri. NATO e din kush i ka sulmuar ushtarët e saj, e din po ashtu çfarë ka ndodhur në Banjskë. Ajo e ka të qartë se çfarë arsenali armësh është kapur dhe e din kush i ka përdorur tensionet në veri si instrument politik. Prandaj, me letra të tilla Vuçiq vetëm sa p e shpërfaq strategjinë perfide të “viktimizimit si paralajmërim”, duke e paraqitur normalizimin si kërcënim, lirinë e lëvizjes si rrezik dhe integrimin e veriut si “terror ndaj serbëve””, ka shkruar Fetoshi.
