Është publikuar traileri i ri i filmit “Ebenezer”, me protagonist Johnny Depp, duke u dhënë shikuesve një pamje më të plotë të produksionit të ri, pothuajse një muaj para premierës zyrtare.
Depp rikthehet në një produksion të madh pas disa vitesh, këtë herë në rolin e personazhit ikonik të Charles Dickens, Ebenezer Scrooge, në një version më të errët të historisë klasike të Krishtlindjeve, me regji të Ty West.
“Emrin e di, historinë nuk e di” është fraza që shoqëron filmin, i cili pritet të shfaqet në kinema më 13 nëntor.
Në trailerin e publikuar të enjten, më 1 tetor, Johnny Depp shfaqet si Scrooge, një njeri indiferent ndaj problemeve të njerëzve përreth tij. Personazhi i tij u drejtohet të tjerëve me një ton ironik dhe tallës, duke reflektuar karakterin e ashpër dhe cinik të Scrooge.

Por historia merr një tjetër drejtim kur ai përballet me tre fantazma, të cilat do ta detyrojnë të përballet me të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e tij dhe do të vënë në pikëpyetje mënyrën se si e ka parë jetën deri në atë moment.
Filmi sjell një kast të gjerë aktorësh, ku përfshihen Rupert Grint, Andrea Riseborough, Sam Claflin, Daisy Ridley, Arthur Conan Doyle, Eli Bamber, Henry Lloyd-Hughes, Charlie Murphy, Trammell Tillman dhe Ian McKellen.
“Ebenezer” është një tjetër nga projektet e rëndësishme të Johnny Depp pas një periudhe në të cilën aktori ka qenë më pak i pranishëm në produksionet e mëdha të Hollywood-it.
Depp po luan gjithashtu në “Day Drinker”, një thriller i Lionsgate ku interpreton së bashku me Madeleine Klein dhe Penélope Cruz. Filmi është planifikuar të dalë në kinema në mars të vitit 2027.
Ndërkohë, “Ebenezer” pritet të sjellë një tjetër version të historisë së famshme të Charles Dickens, duke e vendosur personazhin e Scrooge në një atmosferë më të errët dhe gotike, në një interpretim që e vendos Johnny Depp në qendër të historisë./Anabel
