LifeStyle

Këngëtaret – Aludimet për përfshirjen në videot intime, reagojnë Aurela Gaçe dhe Rozana Radi

Qarkullimi në masë i disa videove intime në rrjet dhe aludimet që kanë përfshirë emra të njohur të showbiz-it kanë sjellë reagimin publik të këngëtareve Aurela Gaçe dhe Rozana Radi.

Të dyja këngëtaret kanë mohuar përfshirjen e tyre në materialet që po qarkullojnë, ndërsa kanë paralajmëruar edhe ndjekje ligjore për pretendimet që, sipas tyre, cenojnë emrin dhe dinjitetin e tyre.

Aurela Gaçe ka reaguar duke mohuar kategorikisht çdo lidhje me videot.

“Dua të jem e qartë: Nuk jam pjesë e asnjë videoje të natyrës që po aludohet. Çdo pretendim që më lidh me të tilla përmbajtje është i pavërtetë.”

Këngëtarja ka sqaruar gjithashtu se bashkëpunimet e saj me persona të industrisë muzikore kanë qenë marrëdhënie profesionale, ndërsa ka paralajmëruar hapa ligjorë ndaj kujtdo që cenon emrin e saj.

“Jam bijë, nënë dhe bashkëshorte. Dinjiteti i askujt nuk duhet të bëhet objekt përbaltjeje apo argëtimi publik. Dinjitetin tim e kam shumë të shtrenjtë dhe nuk lejoj askënd ta përdhosë.”

Në reagimin e saj, Gaçe ka deklaruar se qëndron në krah të grave që përballen me cenim të privatësisë dhe ka paralajmëruar ndjekje ligjore për pretendimet ndaj saj.

“Për çdo shpifje që cenon emrin dhe dinjitetin tim, do të ndërmarr hapat e nevojshëm ligjorë”.

Edhe Rozana Radi ka reaguar lidhur me videot që po qarkullojnë, duke mohuar çdo përfshirje të saj.

“Theksoj qartë: unë nuk jam në asnjë prej videove të publikuara dhe nuk kam asnjë lidhje me videon që pretendohet.”

Radi ka paralajmëruar kallëzim penal ndaj personave që, sipas saj, tentojnë të dëmtojnë emrin dhe reputacionin e saj.

“Për këdo që tenton të dëmtojë emrin, imazhin apo reputacionin tim përmes shpifjeve dhe të pavërtetave, do të ketë kallëzim penal dhe do të japë llogari përpara drejtësisë.”

Këngëtarja ka bërë gjithashtu thirrje që materialet të mos shpërndahen.

“Mos shpërndani, mos amplifikoni dhe mos i jepni jetë diçkaje që prek dinjitetin dhe emrin e njerëzve pa asnjë të vërtetë pas saj.”

Në përfundim të reagimit të saj, Radi ka bërë të ditur se do të ndjekë procedurat ligjore nëse situata vijon.

“Nga ky moment, le të flasin faktet dhe drejtësia”.

Të Ngjashme