ShowBizzz

Flet për herë të parë Eli Fara pas videove: “Jam e lënduar, por nuk kam arsye të turpërohem”

Eli Fara ka reaguar për herë të parë publikisht pas shpërndarjes së materialeve intime që e kanë vendosur emrin e saj në qendër të vëmendjes gjatë ditëve të fundit.

Përmes një deklarate të gjatë, këngëtarja ka folur për cenimin e privatësisë, komentet me të cilat është përballur dhe ndikimin që e gjithë situata ka pasur tek ajo dhe familja e saj.

“Kam kaluar një jetë në skenë, duke ndarë me publikun këngën dhe dashurinë për artin. Sot po përjetoj një dhimbje që nuk ia uroj asnjë gruaje: cenimin e privatësisë dhe përballjen me gjykime e fyerje që prekin edhe familjen time”, shkruan Fara.

Këngëtarja ndalet veçanërisht te mënyra se si, sipas saj, trajtohen gratë kur bëhen publike materiale që i përkasin jetës së tyre private.

“Në këtë shoqëri, grave u kërkohet shpesh të mbajnë mbi supe edhe turpin e veprimeve që kryhen kundër tyre. U cenojnë privatësinë dhe pastaj u kërkojnë të japin llogari. I lëndojnë dhe pastaj i gjykojnë për mënyrën si e përballojnë dhimbjen. Asnjë grua nuk duhet të kalojë nëpër këtë poshtërim”, vijon ajo.

Fara pranon se situata e ka lënduar, por thekson se nuk ndihet e turpëruar për jetën e saj private. Përgjegjësinë ajo e vendos te personat që regjistrojnë dhe shpërndajnë materiale intime pa dijeninë apo pëlqimin e personave të përfshirë.

“Jam e lënduar, por nuk kam arsye të turpërohem. Turpi u përket atyre që filmojnë, publikojnë dhe shpërndajnë momente private pa dijeninë dhe pëlqimin e një njeriu. Intimiteti i një gruaje nuk është leje për ta poshtëruar”, deklaron këngëtarja.

Ajo thekson se të qenit personazh publik nuk e zhvesh nga e drejta për privatësi dhe dinjitet, ndërsa bën të ditur se çështjen do t’ia besojë drejtësisë.

“Të qenit artiste nuk ma heq të drejtën për privatësi dhe dinjitet. Këtë të drejtë e ka çdo grua, pavarësisht emrit, profesionit apo zgjedhjeve të saj. Këtë çështje do t’ia lë në dorë drejtësisë. Nga publiku kërkoj njerëzillëk dhe ndalimin e shpërndarjes. Përpara çdo gjykimi, mendoni për njeriun dhe familjen që lëndoni”, shkruan ajo.

Në fund, Eli Fara falënderon familjarët, miqtë, kolegët dhe personat që i kanë qëndruar pranë gjatë këtyre ditëve.

“Falënderoj nga zemra familjen, miqtë, kolegët dhe të gjithë ata që më kanë mbështetur, publikisht apo privatisht. Dashuria dhe mirëkuptimi juaj më japin forcë.”

Këngëtarja e mbyll reagimin duke bërë të ditur se do të tërhiqet për aq kohë sa i nevojitet për ta përballuar situatën.

“Do të marr kohën që më duhet dhe do të vazhdoj përpara, me dinjitet dhe me kokën lart.

E juaja,

Eli Fara.”

Të Ngjashme