Po numërohej secila votë.
Por një votë me kusht e ardhur nga Komuna e Leposaviqit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, mesditën e së mërkurës u pa e dyshimtë.
Fletëvotimi në të cilin ishte votuar për Listën Serbe, dyshohet se ishte i fotokopjuar dhe u përdor për manipulim të procesit zgjedhor përmes fenomenit të vjedhjes së votave të njohur si treni bullgar.
Për këtë, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur edhe hetimet.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala, tregon se fletëvotimi tashmë është sekuestruar.
“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është sekuestruar edhe fletëvotimi me të cilin dyshohet në drejtim të veprës penale ‘Keqpërdorimi i të drejtës së votimit’ sipas nenit 213 të KPRK-së. Ndërkohë, Prokurori i Shtetit, në bashkëpunim të plotë me Policinë e Kosovës, po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në lidhje me këtë çështje”, tha ajo.
Për t’i evidentuar parregullsitë e ngjashme 10% e vendvotimeve tashmë janë rinumëruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
