Kuriozitete

“Fosili i gjallë” që i ka mbijetuar 445 milionë viteve, sot përballet me armikun më të madh: Njeriun

Nuk është gaforre, ka nëntë sy, gjashtë palë këmbë dhe një bisht që duket kërcënues, por është krejtësisht i padëmshëm. Kjo krijesë e lashtë vazhdon të luajë edhe sot një rol të rëndësishëm në sigurinë e vaksinave.

Një krijesë që ka jetuar në Tokë shumë përpara dinosaurëve po vazhdon të mahnisë shkencëtarët. Gaforrja patkua, e cilësuar shpesh si një “fosil i gjallë”, ka mbijetuar për rreth 445 milionë vjet, duke ndryshuar shumë pak në pamje gjatë gjithë kësaj kohe.

Me trupin e saj të mbuluar nga një guaskë në formë helmete, ajo duket si një krijesë e dalë nga një epokë parahistorike. Por pamja nuk është e vetmja veçori që e bën të jashtëzakonshme.

Në fakt, pavarësisht emrit, gaforrja patkua nuk është fare gaforre. Ajo është një artropod dhe është më e afërt me akrepat sesa me gaforret. Kjo kafshë ka nëntë sy, të shpërndarë në pjesë të ndryshme të trupit, dhe gjashtë palë këmbë. Pesë palë përdoren për të lëvizur, ndërsa çifti i fundit ka një funksion krejt tjetër: ndihmon në copëtimin e ushqimit, si molusqet dhe krimbat, dhe në dërgimin e tij drejt gojës.

Edhe bishti i gjatë dhe i mprehtë, i cili në pamje të parë duket si një armë, nuk është i rrezikshëm për njerëzit. Ai quhet telson dhe përdoret kryesisht për ta ndihmuar kafshën të kthehet në pozicionin normal kur përmbyset.

Por ndoshta tipari më i pazakontë i gaforres patkua fshihet brenda trupit të saj. Gjaku blu që ndihmon në kontrollin e vaksinave. Ndryshe nga njerëzit dhe shumica e kafshëve, gaforrja patkua ka gjak blu, për shkak se në vend të hekurit përdor bakrin për transportimin e oksigjenit. Ky gjak ka një rëndësi të jashtëzakonshme për mjekësinë moderne.

Komponentët e gjakut të saj përdoren nga industria biomjekësore për të zbuluar praninë e toksinave bakteriale që mund të jenë të rrezikshme në produkte mjekësore, përfshirë vaksinat. Kjo e ka bërë kafshën një pjesë të rëndësishme të proceseve të sigurisë në industrinë farmaceutike.

Një krijesë që ka mbijetuar nga një botë shumë më e lashtë se ajo e njerëzve vazhdon të ketë një rol në mjekësinë e sotme. Gaforret patkua gjenden përgjatë brigjeve të Amerikës së Veriut, nga Maine deri në Meksikë. Bregdeti ka një rëndësi të veçantë për riprodhimin e tyre. Femrat dalin në plazhe për të lëshuar vezët në rërë, zakonisht gjatë baticës së lartë dhe rreth periudhës së hënës së plotë.

Një femër mund të depozitojë rreth 4 mijë vezë në grupe, duke krijuar një burim të rëndësishëm ushqimi për shpendët bregdetarë. Pikërisht habitatet e tyre bregdetare po përballen sot me një nga kërcënimet më të mëdha.

Edhe pse gaforret patkua kanë mbijetuar disa zhdukje masive gjatë historisë së Tokës, ndryshimet që po ndodhin në brigjet e planetit po krijojnë një sfidë të re. Rritja e nivelit të detit dhe zhvillimi intensiv i zonave bregdetare po reduktojnë hapësirat me rërë ku këto kafshë riprodhohen. Sipas Mark Botton, ekolog në Universitetin Fordham, humbja e këtyre plazheve mund të ketë pasoja serioze.

“Ka shqetësim se rritja e nivelit të detit po gërryen habitatet me rërë dhe, nëse ajo zonë e plazhit ku ato lëshojnë vezët zhduket, atëherë ajo humbet”, shpjegon ai.

Botton ka studiuar gaforret patkua për afro 50 vjet dhe beson se aftësia e tyre për t’u përshtatur nuk duhet nënvlerësuar.

Sipas tij, këto kafshë kanë treguar një aftësi të jashtëzakonshme për të gjetur hapësira të vogla të përshtatshme për të mbijetuar, edhe në brigje ku pjesa më e madhe e territorit është betonizuar.

“Ato janë shumë të afta të gjejnë zona të vogla me rërë, edhe kur një vijë bregdetare është pothuajse e gjitha e betonizuar”, thotë Botton.

Pas 445 milionë vitesh mbijetesë, gaforrja patkua duket se ende nuk ka ndërmend të dorëzohet. Por këtë herë sfida nuk vjen nga dinosaurët apo zhdukjet masive të së kaluarës, por nga ndryshimet që po shkakton vetë njeriu në planet.

Të Ngjashme