Opinionisti Adriatik Dosti ka reaguar me një shkrim për ish-futbollistin Xhevat Prekazi, duke vlerësuar karrierën e tij sportive, por duke kritikuar qëndrimet që, sipas tij, Prekazi kishte shprehur për Kosovën.
Në shkrimin e publikuar, Dosti rikujton sukseset e Prekazit te Partizani i Beogradit dhe Gallatasarai, por shpreh zhgënjimin për deklaratat e tij në një intervistë në televizionin serb RTS 1.
Ai thekson se nuk pajtohet me mënyrën se si disa analistë, gazetarë dhe figura të sportit në Kosovë po e vlerësojnë Prekazin pas vdekjes së tij, duke kërkuar që të mos harrohen qëndrimet e tij të mëparshme.
Shkrimi i plotë pa ndërhyrje:
Dy fjalë për Xhevat Prekazin…
Futbollistin dhe talentin e madh shqiptar të futbollit.
….Dhe shqiptarin e vogël, të cilit Kosova i rrinte ngushtë dhe nuk i ngjiti kurrë.
E kam parë si futbollist në fushën e lojës, përmes TV-së sigurisht.
E kam përjetuar atë kohë kur shkëlqeu tek Partizani i Beogradit dhe u shpall 3 herë kampion i Jugosllavisë në mesvitet ’80.
E kam si sot parasysh edhe kur fitoi Kupën e Jugosllavisë me Hajdukun e Splitit e ishte një ndër dy shënuesit më të mirë të kupës.
Po si sot e kujtoj Xh. Prekazin teksa u shndërrua në yll, simbol e krenari tek turqit e Gallatasarait, ku fitoi 2 tituj kampion e ku veçmas ai supergol në Ligën e Kampionëve kundër Monacos e ktheu në një legjendë futbolli.
Prekazi e F. Vokrri absolutisht mbeten 2 yjet e talentet shqiptarë më të mëdhenj të historisë së futbollit jugosllav… një futboll ky tepër cilësor e i respektuar në Evropë e në botë, veçmas që prej 1964 – 1990 …
Kaq për pjesën sportive të tij.
Xh. Prekazi lindi në një familje shqiptare të Kosovës dhe në tokën shqiptare të Mitrovicës në 1957.
Shumë herët, për një jetë më të mirë e veçmas për karrierën e tij, iku në Beograd, ku dhe e jetoi krejt jetën e tij derisa dy ditë më parë, po aty, në moshën 69-vjeçare u largua nga kjo botë.
Ishte dhe mbeti një futbollist i madh, por fatkeqësisht edhe një shqiptar i vogël, për të mos thënë hiç-shqiptar.
Kam lexuar jo pak intervista të tij e shkrime për të e veçmas një intervistë e tij në Sport Magazine katër vjet më parë në RTS 1 më ka lënë një përshtypje vërtet të keqe e një shije të hidhur.
Ndër të tjera, si sot e kujtoj tek tha…
…Po unë shqiptar jam dhe këtë s’e mohoj dot… kam lindur në Mitrovicën e ish-Jugosllavisë.
Por Beogradi është qyteti dhe shteti im…
Përsa i përket Kosovës, me të s’më lidh kurgjë prej shumë vitesh.
Kërkush prej andej nuk më shkruan e as më telefonon prej kohësh e sigurisht edhe unë bëj të njëjtën gjë.
Ndihem mirë në Beogradin tim e ndihem shumë herë më tepër serb se sa shqiptar unë e familja ime.
Kosova më rri ngushtë e kurrë s’e ndjeva atë e kurrë asnjëherë ajo s’më ngjiti.
Futbollin e Kosovës nuk e ndjek dhe nuk kam kurrfarë interesi për të.
Për luftën… sigurisht që më erdhi keq për atë ç’ka ndodhi, por unë jam njeri i sportit dhe jo analist lufte.
E di që në Kosovë nuk më duan e madje më quajnë tradhtar e bashkëpunëtor i Serbisë… s’di ç’të them… punë e tyre.
S’kam qenë prej shumë herët në Prishtinë dhe pas gjithë këtyre as edhe që kam ndërmend të shkoj.
Ky pra ishte Xhevat Prekazi, si e njoha unë në fushën e lojës e si një talent i rrallë shqiptar i futbollit dhe si e dëgjova po unë në intervistën e mësipërme, ku zhgënjimi e anti-shqiptarizmi konstant i tij më la pa fjalë.
Ndaj dhe sot më vjen keq e nuk ndihem fort mirë e rehat teksa shoh e dëgjoj se si nëpër studiot TV të Kosovës disa emra të njohur të sportit e veçmas të futbollit të këtij vendi, por edhe analistë e gazetarë, gati sa nuk po e rreshtojnë Xhevat Prekazin tek heronjtë e Kosovës e po derdhin lot për vdekjen e tij.
Memoria e shkurtër ose hiç-kujtesa është fatkeqësi e rëndë kombëtare e me pasoja fatale për një komb e për një popull.
Dhe ne shqiptarët në këtë drejtim dallojmë fort e për keq krahasuar me pothuajse krejt kombet e popujt e tjerë të botës, ndaj dhe sot jo rastësisht jemi këtu ku jemi.
