Kuriozitete

Grabiti mbi 100 mijë uro në dy banka në Tiranë, zbardhet dëshmia e 50-vjeçarit: Një pjesë të tyre në kazino

Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet për 50-vjeçarin Robert alias Albert Duka, i dyshuar për grabitjen e dy bankave të nivelit të dytë në Tiranë. I arrestuar të hënën(9 nëntor), ai dyshohet se ka shpenzuar një pjesë të konsiderueshme të parave të grabitura, që kapin vlerën e mbi 100 mijë eurove, në kazino të ndryshme të kryeqytetit.

Gjatë dëshmisë së dhënë para hetuesve, 50-vjeçari ka pranuar se pas grabitjeve ka përdorur një pjesë të parave për të luajtur në disa kazino. Në kuadër të hetimeve, grupi hetimor u ka kërkuar informacione këtyre subjekteve, me qëllim verifikimin nëse Duka ka qenë klient i tyre dhe për të zbardhur lëvizjet financiare.

Një tjetër pjesë e parave, rreth 6 mijë euro, dyshohet se u është dhënë dy miqve të tij në Vlorë, nga 3 mijë euro secilit. Të dy personat janë marrë në pyetje nga hetuesit dhe kanë deklaruar se shumat e marra përbënin një borxh që 50-vjeçari u kishte. Megjithatë, grupi hetimor po verifikon edhe këtë pretendim, për të përcaktuar destinacionin e parave dhe nëse persona të tjerë kanë përfituar prej tyre.

Pjesa më e madhe e parave të gjetura gjatë hetimeve është sekuestruar në banesën e tij në Vlorë, ndërsa në Tiranë, Duka jetonte në një apartament me qira.

Në kuadër të hetimeve është marrë në pyetje edhe bashkëshortja e tij, e cila punon në një bankë të nivelit të dytë. Për paratë e gjetura në banesë, ajo ka deklaruar se bëhej fjalë për kursime familjare, të siguruara nga shitja e një apartamenti në kryeqytet.

Robert alias Albert Duka rezulton të ketë qenë i përfshirë edhe më parë në çështje të rënda penale jashtë vendit.

Në vitin 2010, ai u arrestua në Greqi së bashku me tre shtetas të tjerë shqiptarë, nën dyshimin për pjesëmarrje në një organizatë kriminale që dyshohej se kishte kryer 26 grabitje të armatosura në supermarkete në rajonin e Atikës.

Sipas hetimeve të asaj kohe, gjatë periudhës 2007–2010, grupi kishte përfituar mbi 1.2 milionë euro nga aktiviteti kriminal.

Pas arrestimit, Duka u dërgua në burg, por në vitin 2016 arriti të arratisej nga burgu i Tirinthës, së bashku me disa të dënuar të tjerë. Ai qëndroi në arrati për rreth dy vite, deri në vitin 2018, kur u lokalizua dhe u arrestua sërish në Greqi, pranë pikës kufitare të Kapshticës. Një vit më vonë, në vitin 2019, ai u lirua nga burgu me kusht.

Ndërkohë, pas arrestimit të fundit për grabitjet e dy bankave në Tiranë, Policia pritet të nisë edhe një hetim pasuror ndaj 50-vjeçarit, me qëllim verifikimin e burimeve të të ardhurave dhe pasurive të tij.

Të Ngjashme