Lajme

Gara për një anëtar në KQZ, PDK-ja e bindur se u takon atyre

Dhjetë ishin por njëmbëdhjetë duheshin.

Dilema se kujt i takon edhe një përfaqësues, ka lënë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve me një anëtar më pak në përbërje.

Ani se mungesa e njërit nuk përbën problem në vendimmarrje, vonesat në mosemërim, po vlerësohen të qëllimshme nga Partia Demokratike, që besojnë se anëtari iu takon atyre.

“Është e qëllimshme dhe çdo vendim tjetër jashtë emërimit të anëtarit të dytë nga radhët e partisë demokratike humb fuqinë e përfaqësimit të opozitës në këtë institucion”, tha Ilir Gashi, anëtari i KQZ-së nga PDK.

Mirëpo deri tani, edhe nga Vetëvendosje kanë deklaruar që anëtari u përket atyre.

Tëvë1, të premten tentoi të marrë një prononcim nga kjo parti, por të njëjtit nuk dhanë një përgjigje.

E arsyetim për vonesa nuk shohin juristët, meqë siç thonë, s’ka dilema se cilës parti i takon ai.

“Neni 139 i Kushtetutës është mjaftë i qartë për arsye se i përcakton prej 6 grupeve parlamentare nga një anëtar mirëpo nëse nuk janë të kompletuara sikur në rastin tonë atëherë ata iu shpërndahen partive tjera. Në këtë rast, Lëvizja Vetëvendosje e merr edhe një anëtar shtesë dhe një Partia Demokratike e Kosovës si partia e dytë më e madhe”, tha Melos Kolshi – hulumtuesi në IKD.

Në pritje për ta zënë ulësen e anëtarit në KQZ, janë Rashit Qalaj i PDK-së e Njazi Isaku i Vetëvendosjes.

Të Ngjashme