Lajme

Gaxheri: Kurti s’do zgjidhje, nuk besoj 100% se do të ketë marrëveshje për presidentin

Anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxheri nuk shprehet shumë optimiste për një marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje për çështjen e presidentit, pavarësisht se në takimin e fundit mes Kurtit dhe Abdixhikut u dhanë sinjale.

Ajo ka thënë se sikur situata të ishte në dorën e LDK-së, vendi nuk do të ishte në këtë situatë.

“Nuk është se besoj 100përqind se do të kemi rezultat. Megjithatë ne kemi diskutuar gjerë e gjatë që të bëjmë maksimumin dhe t’i japim zgjidhje kësaj krize dhe vendin mos ta dërgojmë prapë në zgjedhje. LDK si gjithmonë nuk ka bërë llogaritë elektorale po ka shprehur gatishmëri që t’i bëjë zgjidhje vendit”, ka thënë ajo në emisionin “InfoNata” në Tëvë1.

Sa i përket propozimit të emrave për president, Gaxherri ka thënë se LDK do t’i propozojë emrat, duke shtuar se nuk do të jetë e lehtë të gjenden dhe të pranojnë të bashkëpunojnë me Kurtin.
Ajo poashtu ka vënë dyshime nëse emrat që do t’i propozojë LDK-ja do të pranohen nga Kurti, pasi sipas saj, kryeministri në detyrë nuk është i interesuar për zgjidhje të situatës.

“LDK po diskuton këto ditë edhe për emrin dhe jam e sigurt se do të gjejmë emrin jashtë LDK-së. Jam e sigurt që LDK-ja këto ditë do t’i ketë disa emra, nuk është e lehtë për t’i gjetur, sepse çdo intelektual i mirëfilltë i këtij vendi nuk do ta ketë të lehtë ta pranojë se nuk është lehtë me punua me Kurtin. Unë jam skeptike nëse z.Kurti do t’i pranojë ata emra dhe nuk jam e sigurt nëse do zgjidhje”, ka thënë Gaxherri.

Pas takimit të së martës , Kurti e Abdixhiku kanë thënë se kanë diskutuar për kriteret për presidentin.

Ata thanë se këto çështje do t’i diskutojnë brenda partive për t’u takuar sërish.

Kryetari i LDK-së tha në takimin e radhës do të propozohen emrat konkretë.

Të Ngjashme