Besa Gaxherri, nga LDK ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë Albin Kurti, duke e akuzuar për mashtrime dhe devijim nga rruga demokratike e vendit.
Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, ajo ka thënë se Kurti nuk ka arritur të gjejë zgjidhje për situatën politike dhe institucionale në vend, duke fajësuar edhe opozitën për zhvillimet aktuale.
“Me askënd nuk po mund të bëjë marrëveshje, as me opozitën, as me kryeministrin Edi Rama, e në fund as me binomin që e kishte dhe që i fitoi zgjedhjet e fundit. Në zgjedhjet e fundit ai thoshte se presidente do të jetë Vjosa Osmani. Ai shkoi me këtë kartë dhe i mashtroi qytetarët, por kur erdhi koha nuk e kandidoi,” ka deklaruar Gaxherri.
Ajo ka shtuar se Lidhja Demokratike e Kosovës, nëse fiton zgjedhjet, do të ofrojë stabilitet institucional dhe jo cikël të ri zgjedhor.
“Unë dua vetëm me një pyetje t’u drejtohem qytetarëve: kush është i mirë në Kosovë për z. Kurti edhe jashtë saj nuk ka marrëdhënie të mira. Prandaj po i thërras qytetarët me argumente që ta kthejnë Kosovën në binarët e një shteti demokratik,” ka thënë ajo.
Gaxherri theksoi se LDK synon zgjidhje politike dhe stabilitet.
“Nëse LDK fiton dhe bëhet subjekt i parë politik, ne nuk ju garantojmë zgjedhje të reja, por ju garantojmë zgjidhje,” përfundoi ajo.
