Gazetari dhe legjenda e komentimit të sportit, Agim Kasapolli ka reaguar ndaj kritikave të gazetarit Baton Haxhiu drejtuar kryeministrit Albin Kurti, duke ngritur pyetje mbi rolin dhe autoritetin moral të një gazetari që merr pozicionin e një gjykatësi në debatet politike.
Në reagimin e tij, Kasapolli e kritikon qasjen e Haxhiut, duke theksuar se kritika ndaj pushtetit është pjesë e demokracisë, por sipas tij, edhe figurat publike që kritikojnë duhet të jenë të gatshme të përballen me kritikë dhe vlerësim publik për rolin e tyre, përcjell “Bota sot”.
Ai e përqendron reagimin te raporti mes gazetarisë, politikës dhe ndikimit publik, duke argumentuar se një gazetar duhet të ruajë kufirin mes analizës dhe rolit të arbitrit politik.
Kasapolli gjithashtu përdor simbolikën e “mullarit” për të komentuar mënyrën e prezantimit publik të Haxhiut dhe pyet nëse gazetari mund të mbajë njëkohësisht rolin e kritikut, analistit dhe përcaktuesit të verdikteve politike.
Postimi i plotë
Gazetari i “Mullarit”: Kush i thotë Albin Kurtit “Turpërohu”?
Baton Haxhiu paska dalë përsëri në skenë dhe i paska thënë Albin Kurtit: “Duhet të turpërohesh!”
Po kush po ia thotë këtë Kurtit?
Baton Haxhiu!
Pikërisht ai Baton Haxhiu që prej vitesh sillet në skenën publike mbarëshqiptare si gjykatës, analist, këshilltar, ndërmjetësues dhe, mbi të gjitha, si njeri që pretendon se ka përgjigje për çdo gjë. Por, para se t’i thuash dikujt “turpërohu”, duhet të kesh guximin të shikosh njëherë në pasqyrë.
Kush është Baton Haxhiu që të japë leksione për turpin?
Baton Haxhiu ka të drejtë ta kritikojë Albin Kurtin. Ka të drejtë ta kritikojë çdo politikan dhe çdo pushtet. Kjo është pjesë e lirisë së shprehjes.
Por populli ka po aq të drejtë ta pyesë:
Me çfarë autoriteti moral del Baton Haxhiu në rolin e gjykatësit të Kosovës?
Ky është problemi.
Sepse Baton Haxhiu nuk është më vetëm gazetari që bën pyetje. Prej vitesh ai është shndërruar në një personazh që përpiqet të ndikojë në politikë, të përcaktojë se kush ka të drejtë e kush jo dhe të japë verdikte për njerëzit që mbajnë poste politike.
Gazetari mund të jetë kritik. Por gazetari nuk është gjykatë.
Nga “Kazani” te “Mullari”
Baton Haxhiu ka folur shumë për “gazetarët e kazanit”. Por, nëse ai nuk është i “kazanit”, atëherë pyetja ime është:
I kujt është gazetari Baton Haxhiu?
Unë do ta quaja gazetari i “mullarit”.
Për rreth tri dekada pune në televizion dhe pas vizitave në shumë televizione, nuk më ka ndodhur të shoh një skenografi të tillë. Ajo ishte ndërtuar, me urdhër të Batonit, në TV Klan Kosova: një skenografi që i përngjante një mullari, në majë të të cilit ngjitej Batoni bashkë me mysafirin.
Më falni, por simbolika është e jashtëzakonshme.
Nga maja e mullarit, të gjithë poshtë duken të vegjël.
Dhe pikërisht aty duket se dëshiron të qëndrojë Batoni: mbi të tjerët, mbi politikanët, mbi kolegët, mbi opinionin publik.
Por Kosova nuk ka nevojë për gazetarë që qëndrojnë mbi popullin.
Ka nevojë për gazetarë që qëndrojnë përballë pushtetit.
Baton Haxhiu dhe Albin Kurti
Haxhiu e ka sulmuar Kurtin shumë herë dhe me një gjuhë që ndot debatin publik. Në shkrimet e tij ai i ka kërkuar vazhdimisht dorëheqjen. Madje, në disa raste, ka shkuar aq larg sa të kërkojë eliminimin e tij nga skena politike me çdo kusht, duke bërë krahasime historike e politike shumë të rënda.
Pra, nuk është problem që Batoni e kritikon Kurtin.
Problemi është tjetër:
A mendon Haxhiu se Kosova duhet t’i besojë atij si arbitër moral të politikës?
Këtë nuk e vendos Batoni.
E vendos populli.
Dhe në një shoqëri demokratike, edhe ai që kritikon pushtetin duhet të pranojë të kritikohet.
“Turpërohu” – fjalë që kthehet mbrapsht
Kur një politikan i thotë tjetrit “Turpërohu”, mund të jetë pjesë e luftës politike.
Por kur një gazetar ia thotë këtë një kryeministri, pyetja bëhet më interesante:
A po flet mullari, gazetari apo politikani?
Sepse, nëse Baton Haxhiu dëshiron të jetë politikan, le të hyjë në politikë. Nëse dëshiron të jetë gazetar, le të bëjë gazetari. Nëse dëshiron të jetë analist, le të analizojë.
Por të gjitha këto role njëkohësisht krijojnë një problem të madh: publiku nuk e di më nga cili pozicion po flet.
Dhe një pyetje për fund
Ti, Baton, ke të drejtë ta pyesësh Albin Kurtin:
“Pse nuk turpërohesh?”
Por unë do ta kthej pyetjen:
Baton, para se t’u kërkosh të tjerëve të turpërohen, a ke bërë ndonjëherë një bilanc të rolit tënd në gazetarinë dhe politikën kosovare e mbarëshqiptare?
Sepse në Kosovë askush nuk është mbi kritikën.
As kryeministri.
As presidenti.
As gazetari.
Dhe ndoshta kjo është e vetmja gjë që duhet t’i kujtohet gazetarit të “mullarit”:
Nga maja e mullarit mund të shohësh larg, por kjo nuk do të thotë se e zotëron horizontin.
