Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, ka pritur në takim kortezie shefin e ri të Misionit të EULEX-it në Kosovë, Antero Lopes.
Në takim është diskutuar për forcimin e sundimit të ligjit dhe thellimin e reformave në sistemin e drejtësisë.
Gërvalla ka theksuar se reformat në drejtësi janë të domosdoshme për konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe se kërkojnë institucione me integritet, vendosmëri politike dhe zbatim të barabartë të ligjit.
Ndër proceset kryesore reformuese, ministrja ka përmendur funksionalizimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, procesin e Vetingut dhe miratimin e pakos ligjore për reformën në drejtësi.
Sipas Gërvallës, këto masa synojnë forcimin e integritetit, pavarësisë dhe besueshmërisë së sistemit të drejtësisë, si dhe luftimin e krimit, korrupsionit, ndikimeve të paligjshme dhe konflikteve të interesit.
Në takim është diskutuar edhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it në monitorimin e sistemit të drejtësisë, veçanërisht në trajtimin e rasteve të dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore.
Në fund, Gërvalla e ka uruar Lopesin për detyrën e re dhe i ka dëshiruar sukses në ushtrimin e mandatit të tij.
