Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se funksionimi i sistemit korrektues është tregues i drejtpërdrejtë i forcës së shtetit të së drejtës.
Ajo këto komente i bëri gjatë një vizite në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, ku u prit nga Drejtori i SHKK-së, Ismail Dibrani, dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit, Salih Ademi, së bashku me drejtuesit dhe stafin e kësaj qendre.
Gjatë vizitës u diskutua për funksionimin e Qendrës Operative, Njësisë për Vlerësim dhe Klasifikim, Njësisë së Transportit dhe Njësisë për Inteligjencë Korrektuese, të cilat sipas saj përbëjnë boshtin operacional të sistemit korrektues dhe garantojnë menaxhim të koordinuar dhe efikas të proceseve brenda institucioneve korrektuese.
Gërvalla theksoi se forcimi i koordinimit institucional, rritja e kapaciteteve operative dhe konsolidimi i mekanizmave të sigurisë dhe mbikëqyrjes mbeten prioritet për avancimin e standardeve dhe funksionalitetit të sistemit korrektues.
Ajo shtoi se angazhimi për konsolidimin e shtetit të së drejtës, forcimin e besimit në institucione dhe garantimin e sigurisë publike në Kosovë mbetet i pandërprerë.
