Gazetari Elton Tozaj ka publikuar pamje të reja të gjendjes së tij pas dhunës që pretendon se ka përjetuar një ditë më parë, duke treguar dëmtimet e shumta në fytyrë.
Përmes një videoje në Instagram, Tozaj shfaqet me mavijosje të dukshme rreth syve, plagë në fytyrë dhe fasha në pjesën e ballit dhe të faqes. Pamjet tregojnë gjendjen e tij pas incidentit, për të cilin gazetari ende nuk ka zbuluar autorët.
Krahas videos, ai ka përcjellë një mesazh për personat që pretendon se qëndrojnë pas sulmit, duke deklaruar se nuk do të tërhiqet nga aktiviteti i tij.
“Kam një thirrje publike për të gjithë ata që, duke më sulmuar fizikisht, kanë menduar se më mbyllën gojën. Ju siguroj një gjë: Thjesht më keni bërë më të fortë, sepse çfarë nuk të vret, të bën më të fortë”, shprehet Tozaj në video.

Gazetari ka publikuar gjithashtu një mesazh të shkruar, ku e lidh sulmin e pretenduar me përpjekjet për ta heshtur.
“Një mesazh për ata që tentuan të më mbyllin gojën, për ata që u kënaqën nga sulmi! Sulmi ndaj fjalës së lirë është sulm ndaj demokracisë!”, shkruan ai.
Kujtojmë se mbrëmjen e kaluar, Tozaj publikoi një fotografi ku shfaqej me gjak në fytyrë, qafë dhe veshje, duke paralajmëruar se personat përgjegjës do të përballeshin me pasojat.
Më pas, përmes një reagimi tjetër, ai bëri të ditur se ndodhej nën kujdesin e mjekëve dhe forcave të rendit, ndërsa deklaroi se kishte qenë viktimë e dhunës fizike dhe kërcënimeve.
Megjithatë, gazetari nuk ka bërë ende të ditur se ku ka ndodhur sulmi, sa persona kanë qenë të përfshirë apo çfarë e ka shkaktuar atë.
