Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Ilir Kërçeli, ka ngritur një sërë dyshimesh lidhur me kontratat e Komunës së Prishtinës, duke kërkuar sqarime për destinimin e shtyllave të vjetra të ndriçimit, mundësinë e nënshkrimit të një aneks-kontrate prej rreth 3 milionë eurosh, si dhe shpenzimet e parapara për projektin e sheshit “Gjergj Bush”.
Në një paraqitje në televizionin ATV, Kërçeli ka thënë se ka informacione për një aneks-kontratë që, sipas tij, mund të jetë nënshkruar pas përfundimit të kontratës fillestare prej 10 milionë eurosh për ndriçimin inteligjent (smart).
Ai i ka bërë thirrje Komunës së Prishtinës që të sqarojë nëse është nënshkruar një kontratë shtesë, e cila, sipas pretendimeve të tij, do të arrinte vlerën prej 30 për qind të kontratës fillestare, apo rreth 3 milionë euro.
“Pyetja e parë është: A mund të na informojë Komuna e Prishtinës se ku kanë përfunduar shtyllat e vjetra? Pyetja e dytë është: A ka nënshkruar Komuna e Prishtinës, rastësisht, edhe një aneks-kontratë prej 30 për qind, apo rreth 3 milionë euro më shumë, për këtë kontratë? Kontrata fillestare ishte 10 milionë euro dhe është përmbyllur. Mirëpo, unë kam informacione se është nënshkruar edhe një kontratë aneks”, ka deklaruar Kërçeli.
Deputeti i LVV-së ka theksuar se qëllimi i ngritjes së këtyre çështjeve nuk është kërkesa për arrestimin e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, por që institucionet kompetente të trajtojnë dyshimet dhe të veprojnë vetëm në bazë të ligjit.
“Nuk është ideja që ne po kërkojmë të arrestohet kryetari Përparim Rama. Nuk është ideja që ne ia dëshirojmë burgun; ne nuk ia dëshirojmë burgun askujt. Edhe nëse arrestohet Përparim Rama, kjo duhet të ndodhë vetëm nëse ka bazë ligjore”, ka thënë ai.
Kërceli ka shtuar se deputetët nuk kanë rol gjykues, por kanë përgjegjësi që parregullsitë dhe dyshimet që i evidentojnë t’i adresojnë te organet kompetente.
“Normalisht, ne nuk jemi gjykatë. Ne kemi përgjegjësi që sinjalizimet dhe parregullsitë që i vërejmë, si dhe dilemat që kemi, t’i paraqesim në organet kompetente. Kemi edhe obligim ligjor për këtë. Nuk mund t’i heshtim, sepse në të kundërtën bëhemi edhe vetë përgjegjës”, është shprehur deputeti.
Ndërkaq, ai ka komentuar edhe kandidaturën e Përparim Ramës për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke pretenduar se zyrtarizimi i saj mund të lidhet me mënyrën se si kryetari i Prishtinës do t’i paraqiste eventualisht zhvillimet e mundshme në proceset gjyqësore.
Sipas Kërcelit, Rama mund ta përdorë kandidaturën e tij politike për t’i paraqitur veprimet eventuale të drejtësisë si përpjekje për ta penguar në ambiciet politike.
“Unë mendoj se zoti Përparim Rama e bëri zyrtarizimin e kandidaturës së tij për kryetar të LDK-së vetëm për një arsye: që, në rast se ngrihet ndonjë aktakuzë ndaj tij, të viktimizohet duke thënë: ‘Shikoni, në momentin kur shpreh ambicie për kryeministër, shikoni se çfarë po më bëjnë! Po merren me gjykata, po më ngrenë aktakuza’”, ka deklaruar Kërçeli.
Ai ka mohuar që LVV-ja t’i ketë imponuar Ramës nënshkrimin e kontratave për të cilat po ngre dyshime, duke thënë se partia e tij vazhdimisht ka kundërshtuar atë që e konsideron keqpërdorim të besimit të qytetarëve.
“Jo, këto janë të gjitha veprime që ai i ka bërë me vetëdije të plotë. Lëvizja Vetëvendosje asnjëherë nuk i ka dërguar kontrata të tilla abuzive Përparim Ramës për t’i thënë: ‘Nënshkruaji!’. Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht e ka ngritur zërin dhe i ka thënë: ‘Të lutem, mos e keqpërdor besimin e qytetarëve!’”, ka thënë ai.
Kërçeli kërkon qasje në kontratën për sheshin “Gjergj Bush”
Gjatë intervistës, deputeti i LVV-së ka bërë të ditur se ka kërkuar qasje në dokumentet zyrtare të kontratës për projektin e sheshit “Gjergj Bush”, duke shprehur dyshime se aty mund të ketë parregullsi edhe më të mëdha sesa në kontratën për ndriçimin inteligjent.
Ai i ka bërë thirrje Komunës së Prishtinës që t’ia mundësojë qasjen në këtë dokumentacion, ndërsa ka paralajmëruar se së shpejti do të publikojë një analizë për qytetarët lidhur me shpenzimet e projektit.
“Kam kërkuar qasje në dokumentet zyrtare të kontratës për sheshin ‘Gjergj Bush’. Prandaj, nga këtu i bëj thirrje Komunës së Prishtinës që të më mundësojë qasje në atë kontratë, sepse, me aq sa kam hulumtuar dhe jam interesuar, në këtë kontratë mund të dalin keqpërdorime edhe më të mëdha sesa në kontratën e ndriçimit inteligjent (smart)”, ka deklaruar Kërçeli.
Ai ka paralajmëruar se analiza e tij do të përqendrohet në mënyrën se si janë shpenzuar paratë publike dhe nëse shumat e parapara në kontratë janë të arsyeshme për shërbimet e planifikuara.
“Shumë shpejt do të bëj një analizë të qartë për qytetarët e Prishtinës, në mënyrë që ata ta kenë të qartë se ku kanë shkuar mjetet, përkatësisht taksat e qytetarëve të kryeqytetit”, ka thënë deputeti.
18 mijë euro për zhvendosjen e bustit të Ibrahim Rugovës
Një nga çështjet që Kërceli ka veçuar gjatë paraqitjes së tij është shuma prej rreth 18 mijë eurosh, e cila, sipas tij, është paraparë në kontratë për zhvendosjen e bustit të ish-presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Sipas deputetit, bëhet fjalë për marrjen e bustit nga vendi ku ndodhet pranë Katedrales, dërgimin e tij në depo dhe më pas kthimin dhe vendosjen sërish në pozicionin e mëparshëm.
Ai ka vënë në pikëpyetje arsyeshmërinë e kësaj shume, duke kërkuar sqarime për shërbimet dhe pajisjet që mund të nevojiten për realizimin e këtij procesi.
“Rreth 18 mijë euro, sipas asaj që është paraparë në kontratë, janë faturuar për bustin e presidentit historik Ibrahim Rugova, vetëm për ta zhvendosur nga vendi i tij, për ta dërguar në depo dhe për ta kthyer sërish aty ku e ka vendin, pranë Katedrales”, ka deklaruar Kërçeli.
Ai ka theksuar se nuk ka informacion të plotë se sa mund të kushtojë realisht një shërbim i tillë, por ka kërkuar që Komuna të japë shpjegime për shumën e planifikuar.
“Unë nuk e di sa kushton realisht një shërbim i tillë. Nuk e di çfarë duhet të bëhet me bustin, sa duhet të kushtojë transporti apo çfarë pajisjesh nevojiten. A duhet të hyjë kamioni? A duhet të përdoret ndonjë mjet i veçantë? Nuk e di. Por 18 mijë euro vetëm për ta zhvendosur bustin e presidentit Ibrahim Rugova, për ta dërguar në një vend tjetër dhe për ta kthyer e vendosur sërish aty ku ishte, është një shumë që kërkon sqarim”, ka thënë ai.
Kërceli ka përsëritur se është në pritje të dokumentacionit të plotë të kontratës, për të analizuar më në detaje shpenzimet e parapara dhe për t’i bërë ato publike.
“Unë do të bëj një analizë të kësaj kontrate dhe shumë shpejt do t’ua prezantoj qytetarëve të Prishtinës. Ideja është që ne duhet t’i informojmë qytetarët e Prishtinës në detaje për atë që po ndodh”, ka theksuar ai.
Në fund, deputeti i LVV-së ka ritheksuar se shuma prej 18 mijë eurosh është paraparë për zhvendosjen e bustit, dërgimin e tij në një lokacion tjetër dhe kthimin në vendin e mëparshëm, ndërsa ka thënë se dyshimet e tij janë shtuar nga informacionet që ka arritur të sigurojë deri më tani.
“Pra, bëhet fjalë për marrjen e bustit nga pozicioni i tij, dërgimin në një vend tjetër dhe kthimin e vendosjen përsëri në vendin e mëparshëm. Për këtë janë paraparë 18 mijë euro. Unë jam duke pritur kontratën, sepse kam shumë, shumë dyshime, bazuar në atë që kam arritur të kuptoj deri më tani”, ka përfunduar Kërçeli.
