Lajme

Gërvalla premton reforma të vazhdueshme në drejtësi dhe forcim të shtetit të së drejtës

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se reforma në sistemin e drejtësisë dhe forcimi i shtetit të së drejtës janë procese të përditshme dhe të domosdoshme për funksionimin e institucioneve.

Gërvalla ka theksuar se funksionimi i gjykatave është jetik për garantimin e sundimit të ligjit, duke shtuar se sfidat në menaxhimin e lëndëve dhe nevoja për forcim të kapaciteteve institucionale dhe teknike mbeten prioritete kryesore për rritjen e efikasitetit dhe besueshmërisë në sistemin gjyqësor.

“Çdo ditë reformë në drejtësi. Çdo ditë forcim i shtetit të së drejtës. Funksionimi i gjykatave është jetik për garantimin e sundimit të ligjit, ndërsa sfidat reale në menaxhimin e lëndëve dhe nevoja për forcim të mëtejmë të kapaciteteve institucionale dhe teknike mbeten të domosdoshme për rritjen e efikasitetit dhe besueshmërisë në sistemin gjyqësor. Kjo punë e përditshme mbetet themeli mbi të cilin ndërtohet besimi në drejtësi”, ka shkruar ajo në Facebook.

Në kuadër të vizitave të saj në Gjilan, Gërvalla ka qëndruar edhe në Gjykatën Themelore, ku ka ritheksuar përkushtimin për avancimin e reformave në drejtësi.

Ajo ka përmendur gjithashtu funksionalizimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe paketën prej pesë projektligjesh që janë në proces konsultimi publik.

Sipas saj, këto iniciativa synojnë rritjen e integritetit, llogaridhënies dhe funksionalitetit të sistemit gjyqësor në tërësi.

Në fund të vizitës, ajo ka falënderuar përfaqësuesit e Gjykatës Themelore në Gjilan për bashkëpunimin dhe angazhimin institucional, duke theksuar rëndësinë e koordinimit ndërmjet institucioneve për forcimin e sistemit të drejtësisë./teve1.info/

Të Ngjashme