Lajme

Gjenden mbetje mortore, dyshohet se janë të 23 intelektualëve të zhdukur nga Mitrovica

28.07.2026 – 15:31

Prokuroria konfirmon operacionin për zhvarrosje dhe identifikim të mbetjeve mortore në Zubin Potok

Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Arbnora Luta, ka konfirmuar se në Komunën e Zubin Potokut janë duke u zhvilluar veprime në kuadër të një urdhri gjyqësor për zhvarrosje, autopsi dhe identifikim të mbetjeve mortore.

Luta bëri të ditur se veprimet po realizohen me kërkesë të Prokurorisë Speciale dhe në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Me kërkesë të Prokurorisë Speciale dhe urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, institucionet relevante janë duke zbatuar urdhrin për zhvarrosje (ekshumim), autopsi dhe identifikim të mbetjeve mortore në një lokacion në Komunën e Zubin Potokut”, ka deklaruar Nora Luta.

Për momentin nuk janë bërë të ditura detaje shtesë lidhur me identitetin e mundshëm të mbetjeve mortore apo arsyet e këtij operacioni.

28.07.2026 – 15:11

Gjenden mbetje mortore, dyshohet se janë të 23 intelektualëve të zhdukur nga Mitrovica

Burime të Kanal10 bëjnë të ditur se gjatë zhvillimit të hetimeve në komunën e Zubin Potokut janë gjetur mbetje mortore, për të cilat ekziston dyshimi fillestar se mund t’u përkasin 23 intelektualëve shqiptarë të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Në kuadër të këtij rasti, Policia e Kosovës ka arrestuar mbrëmjen e kaluar në Zubin Potok dy persona të dyshuar, Momir Jakshiq dhe Milojko Bishevac.

Sipas Policisë së Kosovës, të dyshuarit po hetohen për veprat penale që lidhen me vrasjen dhe fshehjen e trupave të disa shqiptarëve, të njohur si grupi i intelektualëve të Mitrovicës.

Nuk ka ende detaje shtesë lidhur me identitetin e mbetjeve mortore të gjetura. Procesi i identifikimit pritet të kryhet përmes ekzaminimeve mjeko-ligjore.

Hetimet janë në zhvillim, ndërsa institucionet kanë paralajmëruar se do të informojnë publikun për çdo zhvillim të ri në këtë rast.

Kanal 10 do te ju mbaje te informuar gjate oreve ne vijim rreth zhvillimeve te reja lidhur me gjetjet ne varrezen masive.

Në fshatin Kalludër e Vogël në komunën e Zubin Potokut, po zhvillohen gërmime në një lokacion që dyshohet se mund të jetë varrezë masive e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Zona është vënë nën masa të rrepta sigurie dhe po ruhet nga njësitet elitare të Policisë së Kosovës, ndërsa në terren janë të pranishme edhe gjashtë patrulla të EULEX-it, të cilat po monitorojnë zhvillimin e operacionit.

Ky zhvillim vjen pasi Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë njoftuar për arrestimin e dy personave të dyshuar për krime lufte. Sipas autoriteteve, hetimet lidhen me ngjarje të kohës së luftës, ndërsa dyshohet se arrestimet kanë të bëjnë me lokacionin ku po zhvillohen gërmimet.

Kalludra e Vogël lidhet me një nga rastet më të rënda të zhdukjeve me forcë gjatë luftës në Kosovë. Më 19 prill 1999, në zonën e Drethit dhe Kalludrës në Zubin Potok u rrëmbyen 23 shqiptarë, të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, shumica nga rajoni i Mitrovicës.

Edhe pas më shumë se 27 vitesh, fati i tyre mbetet i pazbardhur. Institucionet e Kosovës kanë theksuar vazhdimisht se dokumente zyrtare tregojnë për përfshirjen e Ushtrisë Jugosllave në këtë krim, ndërsa kanë kërkuar bashkëpunim dhe hapjen e arkivave për zbardhjen e plotë të rastit.

Gërmimet në këtë lokacion pritet të hedhin dritë mbi një nga plagët më të rënda të luftës, ndërsa familjet e të zhdukurve vazhdojnë të kërkojnë të vërtetën dhe drejtësinë.

Të Ngjashme