Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në kryeqytet, ku një 39-vjeçar është gjetur pa shenja jete brenda një automjeti në rrugën “Ali Bakiu”.
Sipas informacioneve paraprake të bëra publike nga strukturat vendore të rendit, viktima është identifikuar si shtetasi D. D., 39 vjeç, me banim në Paskuqan. Nga verifikimet e para të kryera në terren, rezulton se automjeti në të cilin është gjetur trupi i pajetë është në pronësi të vëllait të tij, shtetasit P. D.
Në trupin e viktimës, gjatë këqyrjes paraprake, “nuk janë konstatuar shenja dhune”, ndërsa pista kryesore mbi të cilën po punohet është se “humbja e jetës ka ardhur për shkaqe natyrale”.
Ndërkohë, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon me intensitet veprimet e nevojshme proceduriale për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për përcaktimin zyrtar dhe të saktë të shkakut të vdekjes.
