Zhvillimi i aviacionit luftarak, raketave të drejtuara, raketave të lundrimit dhe mjeteve ajrore pa pilot ka ndryshuar në mënyrë të ndjeshme karakterin e mbrojtjes ajrore bashkëkohore. Në kushtet e përballjes me kërcënime të ndryshme ajrore, mbrojtja e forcave, objekteve kritike dhe infrastrukturës strategjike nuk mund të mbështetet vetëm në një lloj arme, por kërkon një sistem të integruar, të shtresëzuar dhe të ndërlidhur.
Në një analizë të tij për “Bota sot”, analisti i sigurisë dhe gjeneral-majori Muhamet Racaj trajton në detaje sistemet turke të mbrojtjes ajrore KORKUT dhe HİSAR, funksionin dhe karakteristikat e tyre teknike, përdorimin taktik, mënyrën e integrimit në një arkitekturë të përbashkët të mbrojtjes ajrore, si dhe rëndësinë e përgatitjes së personelit.
Racaj thekson se këto dy sisteme kanë role të ndryshme, por plotësuese. KORKUT është i orientuar kryesisht drejt mbrojtjes kundërajrore në distanca shumë të shkurtra dhe kundër objektivave që fluturojnë në lartësi të ulëta, ndërsa HİSAR përfaqëson një familje sistemesh raketore që siguron mbulim në nivele më të gjera.

Prof. Dr. Muhamet Racaj
“Në këtë kuadër, sistemet turke KORKUT dhe HİSAR përfaqësojnë dy komponentë me funksione të ndryshme, por plotësuese. KORKUT është projektuar kryesisht për mbrojtjen kundërajrore në distanca shumë të shkurtra dhe të ulëta, ndërsa HİSAR përfaqëson familje sistemesh raketore për mbrojtje në nivele më të larta të mbulimit. Këto sisteme janë projektuar për t’u integruar me radarë, sisteme komandim-kontrolli dhe mjete të tjera të mbrojtjes ajrore.”
KORKUT, sistemi për mbrojtje në distanca shumë të shkurtra
Në analizën e tij, Racaj shpjegon se KORKUT është një sistem vetëlëvizës kundërajror me topa 35 mm, i zhvilluar për mbrojtjen e trupave të mekanizuara dhe njësive të lëvizshme nga kërcënimet ajrore, veçanërisht ato që shfaqen në lartësi të ulëta.
Sipas tij, KORKUT 150/35 organizohet në një togë që përbëhet nga tre mjete të sistemit të armës dhe një mjet komandim-kontrolli. Sistemi mund të operojë në koordinim me nivele më të larta të komandim-kontrollit dhe me sisteme të tjera të mbrojtjes ajrore.
“KORKUT është sistem vetëlëvizës kundërajror me topa 35 mm, i zhvilluar për mbrojtjen e trupave të mekanizuara dhe njësive të lëvizshme nga kërcënimet ajrore, veçanërisht në lartësi të ulëta. Sistemi KORKUT 150/35 organizohet në një togë që përbëhet nga tre mjete të sistemit të armës dhe një mjet komandim-kontrolli. Ai mund të operojë në mënyrë të koordinuar me nivele më të larta të komandim-kontrollit dhe me sisteme të tjera të mbrojtjes ajrore.”
Racaj rendit edhe disa nga karakteristikat teknike të sistemit. KORKUT 150/35 përdor dy topa 35 mm, ka një ritëm zjarri deri në 1,100 predha në minutë dhe një rreze efektive të publikuar rreth 4 kilometra.
Sistemi përfshin radar për gjurmimin e objektivit, sensorë elektro-optikë, sistem automatik të furnizimit me municion dhe mundësi për përdorimin e municionit ATOM me shpërthim në ajër.
Sipas analizës, ky lloj municioni rrit efektivitetin kundër objektivave të vegjël dhe të shpejtë.
“KORKUT 150/35 përdor dy topa 35 mm dhe mund të përdorë municion programues me shpërthim në ajër, duke rritur efektivitetin kundër objektivave të vegjël dhe të shpejtë. Sipas të dhënave të publikuara nga ASELSAN, sistemi ka kalibër 35 mm, dy topa kundërajrorë, ritëm zjarri deri në 1100 predha/minutë, rreze efektive të publikuar rreth 4 km, radar për gjurmimin e objektivit, sensorë elektro-optikë, sistem automatik të furnizimit me municion dhe aftësi për të përdorur municion ATOM me shpërthim në ajër.”
Racaj vlerëson se këto karakteristika e bëjnë KORKUT-in veçanërisht të përshtatshëm për mbrojtjen e njësive të mekanizuara dhe forcave që zhvillojnë veprime të lëvizshme.
Në pjesën tjetër të analizës, Racaj ndalet te familja HİSAR, e cila përbëhet nga variante të ndryshme të sistemeve raketore të mbrojtjes ajrore.
HİSAR-A/A+ është orientuar drejt mbrojtjes në lartësi të ulëta, ndërsa HİSAR-O/O+ është projektuar për një zonë më të gjerë dhe një nivel më të lartë mbrojtjeje.
“HİSAR është një familje sistemesh raketore të mbrojtjes ajrore. HİSAR-A/A+ është orientuar drejt mbrojtjes në lartësi të ulëta, ndërsa HİSAR-O/O+ mbulon një zonë më të gjerë dhe nivel më të lartë të mbrojtjes. Sipas prodhuesit, sistemet HİSAR janë të destinuara për mbrojtjen e bazave ushtarake, porteve, objekteve dhe trupave kundër avionëve, helikopterëve, UAV-ve, raketave të lundrimit dhe kërcënimeve të tjera ajrore.”
Sipas të dhënave të përfshira në analizë, HİSAR-A+ ka rreze interceptimi mbi 15 kilometra dhe lartësi të publikuar të angazhimit mbi 10 kilometra. Sistemi përdor navigim inercial, lidhje të të dhënave dhe kërkues infra të kuq në fazën terminale.
Ndërkohë, për HİSAR-O të dhënat e publikuara japin një rreze interceptimi mbi 25 kilometra.
“HİSAR-A+ është komponent i mbrojtjes ajrore në lartësi të ulët. Sipas ROKETSAN, ai ka rreze interceptimi mbi 15 km dhe lartësi të publikuar të angazhimit mbi 10 km. Sistemi përdor navigim inercial, lidhje të të dhënave dhe kërkues infra të kuq në fazën terminale.”
Për HİSAR-O/O+, Racaj thekson se sistemi është projektuar për mbrojtje në distanca më të mëdha dhe përfshin komponentë të ndryshëm, përfshirë qendrën e kontrollit të zjarrit, sistemet e lëshimit të raketave, radarët e mbrojtjes ajrore dhe sensorët elektro-optikë.
“HİSAR-O është projektuar për mbrojtje në distancë më të madhe se HİSAR-A. Të dhënat e publikuara nga ROKETSAN japin rreze interceptimi mbi 25 km për HİSAR-O. Versionet e sistemit përdorin kombinime të navigimit inercial, lidhjes së të dhënave dhe sistemeve të kërkimit terminal, përfshirë variantet me kërkues radiofrekuence.”
Një nga pikat kryesore të analizës së Racajt është se KORKUT dhe HİSAR nuk duhet të shihen si sisteme konkurruese, por si pjesë të një arkitekture të shtresëzuar.
KORKUT mund të përdoret për mbrojtjen e njësive të mekanizuara, objektivave që fluturojnë në lartësi të ulëta, pikave të rëndësishme të dislokimit dhe kundër mjeteve ajrore pa pilot.
HİSAR-A+ dhe HİSAR-O/O+ mund të përdoren për mbrojtjen e njësive dhe formacioneve ushtarake, bazave, objekteve strategjike, infrastrukturës kritike, qendrave të komandimit, porteve dhe objekteve të rëndësishme logjistike.
“Karakteristika kryesore taktike e këtyre sistemeve është komplementariteti. KORKUT është veçanërisht i përshtatshëm për mbrojtjen e njësive të mekanizuara, mbrojtjen kundër objektivave që fluturojnë në lartësi të ulët, kundërveprimin ndaj UAV-ve, mbrojtjen e pikave të rëndësishme të dislokimit dhe krijimin e një shtrese të afërt të mbrojtjes ajrore.”
Racaj shton se vlera e sistemeve rritet kur ato lidhen me radarë zbulimi, sisteme komandim-kontrolli, mjete të tjera të mbrojtjes ajrore dhe një rrjet të përbashkët informacioni.
“Në aspektin taktik, vlera e tyre rritet kur këto sisteme nuk përdoren të izoluara, por lidhen me radarë të zbulimit, sisteme komandim-kontrolli, mjete të tjera të mbrojtjes ajrore dhe një rrjet të përbashkët të informacionit.”
Si funksionon mbrojtja ajrore?
Sipas Racajt, përdorimi i sistemeve të mbrojtjes ajrore duhet të bazohet në zbulimin e hershëm, identifikimin, vlerësimin e kërcënimit, shpërndarjen e objektivit dhe reagimin e koordinuar.
Ai e përshkruan ciklin e përgjithshëm operacional në disa faza: zbulimi, identifikimi, gjurmimi, vlerësimi i kërcënimit, vendimmarrja, angazhimi dhe vlerësimi i rezultatit.
“Përdorimi i sistemeve të mbrojtjes ajrore duhet të bazohet në parimet e zbulimit të hershëm, identifikimit, vlerësimit të kërcënimit, shpërndarjes së objektivit dhe reagimit të koordinuar. Në një arkitekturë moderne të mbrojtjes ajrore, cikli i përgjithshëm operacional përfshin: Zbulimi → Identifikimi → Gjurmimi → Vlerësimi i kërcënimit → Vendimmarrja → Angazhimi → Vlerësimi i rezultatit.”
Sipas tij, KORKUT mund të funksionojë në koordinim me sistemet e komandim-kontrollit dhe, në varësi të konfigurimit, të kryejë funksione të zbulimit, identifikimit, caktimit dhe gjurmimit të objektivit.
HİSAR, në anën tjetër, është konceptuar si pjesë e një arkitekture më të gjerë ku radarët dhe qendrat e kontrollit sigurojnë informacionin e nevojshëm për angazhimin e kërcënimeve.
“Prandaj, parimi themelor nuk është thjesht ‘arma kundër objektivit’, por ‘rrjeti i mbrojtjes ajrore kundër kërcënimit’.”
Racaj i kushton rëndësi të veçantë edhe personelit që operon me këto sisteme. Sipas tij, efektiviteti i çdo sistemi modern të mbrojtjes ajrore varet jo vetëm nga teknologjia, por edhe nga niveli profesional i operatorëve.
Personeli duhet të ketë njohuri për sistemin e armës, radarët dhe sensorët, komunikimet, komandim-kontrollin, identifikimin e objektivave, procedurat e sigurisë, mirëmbajtjen teknike dhe menaxhimin e informacionit.
“Personeli duhet të ketë njohuri në: sistemin e armës; radarët dhe sensorët; komunikimet; komandim-kontrollin; identifikimin e objektivave; procedurat e sigurisë; mirëmbajtjen teknike; menaxhimin e informacionit; procedurat e bashkëveprimit me njësitë e tjera.”
Sipas tij, në sistemet moderne operatori nuk është vetëm përdorues i armës, por pjesë e një ekipi të integruar që menaxhon informacionin dhe reagimin kundërajror.
Analiza ndalet edhe te mënyra se si duhet të zhvillohet trajnimi i personelit. Racaj e ndan atë në përgatitje teorike, praktike, trajnim në grup, stërvitje në kushte të ndryshme dhe stërvitje të integruar.
“Stërvitja duhet të zhvillohet në mënyrë progresive, duke filluar nga njohja teorike e sistemit dhe duke kaluar në simulime dhe ushtrime të integruara.”
Programi, sipas tij, duhet të përfshijë njohjen me karakteristikat teknike, kufizimet, sensorët dhe sistemet e komunikimit, por edhe përdorimin e simulatorëve dhe procedurat e mirëmbajtjes.
Në fazën e trajnimit në grup, rëndësi merr bashkërendimi ndërmjet operatorëve, komandës, radarit dhe elementeve të tjera të njësisë.
Ndërsa stërvitjet në kushte të ndryshme duhet të përfshijnë skenarë ditë/natë, ndryshime të situatës ajrore, ndërprerje të komunikimeve dhe ngarkesë të shtuar të informacionit.
Në fund, stërvitja e integruar synon bashkëveprimin e KORKUT-it dhe HİSAR-it me komponentë të tjerë të mbrojtjes ajrore.
“Qëllimi i stërvitjes nuk është vetëm aftësia për të përdorur teknikën, por krijimi i një ekipi të aftë të marrë dhe përpunojë informacionin në kohë të shkurtër dhe të veprojë sipas procedurave të përcaktuara.”
Racaj thekson se përgatitja për qitje duhet të realizohet vetëm nga personel i trajnuar dhe i autorizuar, në përputhje me rregulloret teknike, procedurat e sigurisë dhe urdhrat e komandës.
Në aspektin e përgjithshëm profesional, kjo përfshin kontrollin e gatishmërisë së sistemit, verifikimin e komunikimeve dhe ndërveprimit me komandim-kontrollin, kontrollin e sensorëve, verifikimin e gjendjes së municionit ose raketave, kontrollin e zonës së sigurisë dhe konfirmimin e objektivit dhe autoritetit për angazhim.
“Përgatitja për qitje duhet të realizohet vetëm nga personel i trajnuar dhe i autorizuar, në përputhje me rregulloret teknike, procedurat e sigurisë dhe urdhrat e komandës. Në aspektin profesional, kjo përgatitje përfshin në mënyrë të përgjithshme kontrollin e gatishmërisë së sistemit, verifikimin e komunikimeve dhe ndërveprimit me komandim-kontrollin, kontrollin e sensorëve dhe pajisjeve të sistemit, verifikimin e gjendjes së municionit ose raketave, kontrollin e zonës së sigurisë, konfirmimin e objektivit dhe të autoritetit për angazhim, si dhe koordinimin ndërmjet personelit të përfshirë.”
Racaj nënvizon se kjo fazë nuk duhet parë si një proces thjesht mekanik, por si një proces teknik, taktik, komandues dhe sigurie.
Sipas analizës, realizimi i qitjes në një sistem modern të mbrojtjes ajrore është rezultat i bashkëveprimit ndërmjet sensorëve, sistemit të komandim-kontrollit, operatorëve dhe armës.
“Procesi operacional, në nivel të përgjithshëm, mund të paraqitet si: Zbulimi i kërcënimit → identifikimi → gjurmimi → vlerësimi i rrezikut → caktimi i mjetit të angazhimit → autorizimi → angazhimi → vlerësimi i efektit.”
Në rastin e KORKUT-it, sistemi përdor radar dhe sensorë elektro-optikë për gjurmimin e objektivit, ndërsa municioni 35 mm me shpërthim në ajër është një prej elementeve që synon të rrisë efektivitetin ndaj objektivave ajrore të vogla dhe të shpejta.
Në rastin e HİSAR-it, procesi mbështetet në integrimin e radarit, komandim-kontrollit, sistemit të lëshimit dhe elementeve të drejtimit të raketës. Mënyrat e drejtimit dhe kërkimit ndryshojnë në varësi të variantit të sistemit.
Racaj thekson se detajet konkrete operative duhet të mbeten në kuadër të manualeve dhe procedurave zyrtare.
“Për arsye të sigurisë dhe profesionalizmit ushtarak, procedurat konkrete të komandimit, parametrat e angazhimit, të dhënat e zjarrit dhe hapat operacionalë të lëshimit duhet të përcaktohen vetëm nga manualet zyrtare dhe procedurat e njësive përkatëse.”
Në përfundim të analizës, Muhamet Racaj thekson se KORKUT dhe HİSAR përfaqësojnë dy kategori të ndryshme, por të ndërlidhura, të mbrojtjes ajrore moderne.
KORKUT, me topat 35 mm dhe municionin me shpërthim në ajër, është i orientuar drejt mbrojtjes në distancë shumë të shkurtër dhe kundër objektivave në lartësi të ulëta. HİSAR-A/A+ dhe HİSAR-O/O+, në anën tjetër, ofrojnë kapacitete raketore për mbulim më të gjerë të hapësirës ajrore.
“KORKUT dhe HİSAR përfaqësojnë dy kategori të ndryshme, por të ndërlidhura, të mbrojtjes ajrore moderne. KORKUT, me topat 35 mm dhe municionin me shpërthim në ajër, është i orientuar drejt mbrojtjes në distancë shumë të shkurtër dhe në lartësi të ulëta, ndërsa HİSAR-A/A+ dhe HİSAR-O/O+ ofrojnë kapacitete raketore për mbulim më të gjerë të hapësirës ajrore.”
Sipas Racajt, zhvillimi i UAV-ve, municioneve precize dhe kërcënimeve të ndryshme ajrore e bën gjithnjë e më të rëndësishëm konceptin e mbrojtjes ajrore të shtresëzuar.
“Mësimi kryesor nga këto sisteme është se mbrojtja ajrore bashkëkohore nuk përcaktohet vetëm nga rrezja e armës apo fuqia e raketës. Efektiviteti real krijohet nga kombinimi i sensorëve, radarëve, komandim-kontrollit, armëve të ndryshme, komunikimit të sigurt, personelit të trajnuar dhe procedurave të standardizuara.”
Ai thekson se sistemet si KORKUT dhe HİSAR nuk duhet parë si alternativa ndaj njëri-tjetrit, por si komponentë që mund të plotësojnë njëri-tjetrin brenda një arkitekture të integruar të mbrojtjes ajrore.
“Në kushtet e përhapjes së shpejtë të UAV-ve, municioneve precize dhe kërcënimeve të ndryshme ajrore, koncepti më i rëndësishëm është mbrojtja ajrore e shtresëzuar. Në këtë koncept, sisteme si KORKUT dhe HİSAR nuk duhet parë si alternativa ndaj njëri-tjetrit, por si komponentë që mund të plotësojnë njëri-tjetrin brenda një arkitekture të integruar të mbrojtjes ajrore.”
Në këtë kuadër, përfundimi i analizës së gjeneral-majorit Muhamet Racaj është se teknologjia e avancuar është vetëm një pjesë e kapacitetit të mbrojtjes ajrore. Krahas saj kërkohet integrim i sistemeve, personel profesional, komunikim i sigurt, trajnime të vazhdueshme dhe procedura të standardizuara.
“Prandaj, parimi themelor i mbrojtjes ajrore moderne është i qartë: nuk mjafton të kesh armën më moderne; duhet të kesh një sistem të integruar, personel të mirëtrajnuar dhe aftësi për të zbuluar, vlerësuar dhe neutralizuar kërcënimin në kohën e duhur.”
