Gjiganti tajvanez i prodhimit të çipave, TSMC, ka njoftuar se do të investojë edhe 100 miliardë dollarë për zgjerimin e kapaciteteve të prodhimit në Shtetet e Bashkuara.
Me këtë, vlera totale e investimeve të planifikuara të kompanisë në SHBA arrin në 265 miliardë dollar, shkruan AP.
Kompania më e madhe e prodhimit të çipave, që është furnizues kryesor i Nvidia dhe Apple, po zgjeron prodhimin për t’iu përgjigjur kërkesës në rritje për çipa të avancuar, e nxitur nga zhvillimi i inteligjencës artificiale.
TSMC njoftoi se do të ndërtojë edhe katër fabrika të reja në Arizona, të cilat do të prodhojnë çipa me teknologji 2 nanometra dhe më të avancuar.
Gjithashtu, kompania njoftoi se rriti buxhetin e investimeve kapitale për këtë vit në 60 deri 64 miliardë dollarë.
Kryetari dhe drejtori ekzekutiv i TSMC-së, C.C. Wei, tha se investimi do të forcojë zinxhirin e furnizimit në SHBA dhe do të krijojë vende të reja pune me paga të larta.
Ai shtoi se kërkesa globale për çipa të lidhur me inteligjencën artificiale mbetet jashtëzakonisht e fortë dhe pritet të vazhdojë të rritet deri në fund të dekadës.
TSMC raportoi gjithashtu fitim rekord prej 22 miliardë dollarësh për tremujorin prill-qershor, 77 për qind më shumë se një vit më parë, ndërsa të hyrat u rritën me 36 për qind.
Pas këtyre rezultateve, kompania rriti parashikimin për rritjen e të hyrave gjatë vitit 2026 në mbi 40 për qind ndërsa u vlerësua se zgjerimi i investimeve është i domosdoshëm për të përmbushur kërkesën në rritje dhe për të mbështetur rritjen afatgjatë të kompanisë.
Më herët gjatë këtij viti, administrata e presidentit amerikan Donald Trump dhe Tajvani arritën një marrëveshje për uljen e tarifave doganore të SHBA-së ndaj mallrave të vendit aziatik, pasi ky vend u zotua të investojë rreth 250 miliardë dollarë në sektorin teknologjik të Shteteve të Bashkuara, përfshirë industrinë e gjysmëpërçuesve.
Në këtë paketë investimesh përfshihen edhe investimet e kompanisë TSMC.
